Lidhje

Shqipëri, Dhoma Amerikane, klima e biznesit u përmirësua në 2016


Ambasadori Donald Lu: Zbatimi i Reformës në Drejtësi, do të transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit për të gjithë

Anëtarët e Dhomës amerikane të Tregtisë kanë vërejtur një përmirësim të klimës së biznesit në Shqipëri gjatë vitit 2016 në krahasim me vitin 2015. Sipas raportit të publikuar sot, indeksi i Biznesit, u ngjit në kuotën e 43.78 pikëve, përkundrejt 37.94 pikëve të një viti më parë, ndërsa pritshmëritë për vitin 2017 janë gjithashtu më të larta, duke u ngjitur në 45.52 pikë. Nga të 27 indikatorët që përbëjnë Indeksin e Biznesit, vetëm njëri prej tyre ka pësuar përkeqësim, ai që lidhej me gjetjen e punonjësve vendas të kualifikuar.

Megjithatë, sipas raportit, 42.4% e anëtarëve të Dhomës Amerikane vazhdoi ta shohë klimën e biznesit në Shqipëri në vitin 2016, si të pafavorshme, ose shumë të pafavorshme, kundrejt 65 përqind që kishin të njejtin perceptim në 2015. Pritshmëria për klimën e biznesit në 2017 (indeksi 44.13 pikë është më e lartë se në vitin 2016 (41.48 pikë).

Pesë shqetësimet më të mëdha të raportuara nga të anketuarit për vitin 2016 përfshinin Nivelin e përgjithshëm të taksimit (30.45 pikë), Burokracinë e institucioneve (31.11 pikë), Monopolet dhe Konkurrencën e pandershme (31.11 pikë), Gjetjen e stafeve lokale të kualifikuara (31.82 pikë), dhe Informalitetin në ekonomi (33.33 pikë).

Sa i përket Nivelit të përgjithshëm të taksimit, 63,2 përqind e anëtarve të Dhomës Amerikane e konsiderojnë atë të lartë ose shumë të lartë, kundrejt 69,7 përqind që kishin të njejtin perceptim në 2015. Ndërkohë që vetëm 2,3 përqind e vlerësojnë si të ulët. Lidhur me Burokracinë e Institucioneve, 65,2 përqind e të anketuarve e konsiderojnë si të lartë (47.4 përqind) ose shumë të lartë (17,8 përqind), ndërsa 28,1 përqind janë neutralë, ose e konsiderojnë në nivele normale. Ndërsa për situatën e Monopoleve dhe Konkurrencën e pandershme, gjatë vitit 2016, është rritur përqindja e atyre që i shohin si një pengesë të madhe ose shumë të madhe, 63.7 përqind (4 pikë përqindje më shumë), por paralelisht është rritur dhe masa e atyre që mendojnë se ato përbëjnë një pengesë të vogël ose shumë të vogël, 9,6 përqind (5.2 pikë përqindje më shumë se në 2015).

Për të tretin vit radhazi, gjetja e stafeve lokale të kualifikuara është vështirësuar më tej në 2016, sipas anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Të paktën kështu e vlerësojnë 67,5 përqind e tyre, ndërkohë që vetëm 8,3 përqind e cilësojnë të lehtë ose shumë të lehtë gjetjen e punonjësve që janë të kualifikuar. Sa i përket Informalitetit në ekonomi, 11,9 përqind e konsiderojnë shumë të lartë, ndërsa 51,9 përqind të lartë.Vetëm 6,6 përqind e të anketuarve e shohin si të ulët ose shumë të ulët. Në krahasim me një vit më parë ka një përmirësim prej vetëm 1.9 pikë përqindje, ndonëse qeveria nisi që në fund të 2015 një aksion masiv kundër informalitetit.

Përmirësim ka shënuar dhe perceptimi lidhur me korrupsionin. Në vitin 2015, 58,2 përqind e të anketuarve e vlerësonin si të lartë ose shumë të lartë, dhe vetëm 6,7 përqind e konsideronin të ulët ose shumë të ulët. Në vitin 2016, anëtarët që janë shprehur se korrupsioni është i lartë ose shumë i lartë, përfaqësonin 51,8 përqind të të anketuarve, ndërsa ishin rritur ata që vlerësonin se është i ulët ose shumë i ulët, 12,6 përqind. Sidoqoftë, pavarësisht rënies, percetimi mbetet sërish në nivele shqetësuese.

Shumica e të anketuarve kishin një perceptim pozitiv, apo neutral në lidhje me autoritetet doganore, pushtetit vendor, ministritë dhe autoritetet tatimore gjatë vitit 2016. Perceptimet e të anketuarve për "Rendin dhe siguria në vend" (58.15 pikë), dhe "Klima politike e brendshëm" (39.26 pikë) gjatë vitit 2016, ishin më të mira se sa në vitin 2015. Po ashtu dhe perceptimi për infrastrukturën dhe furnizimit me energji elektrike janë përmirësuar edhe në vitin 2016.

Anëtarët e Dhomës Amerikane, perceptuan një tendencë pozitive të ecurisë së ekonomisë shqiptare në vitin 2016 (42.67 pikë), e cila ishte më e mirë se në 2015 (31.44 pikë). Ata presin që kjo tendencë të vazhdojë edhe në vitin 2017 (duke arritur 50 pikë). Përveç kësaj, kërkesa për "Mallra dhe shërbime" dhe "Mallra dhe Shërbime për Eksport" është përmirësuar edhe në vitin 2016, dhe pritet të rritet më tej në vitin 2017.

Shumica e anëtarëve të Dhomës Amerikane, kanë ruajtur të njejtin nivel ose kanë rritur investimet e tyre në vitin 2016, dhe presin që kjo prirje të vazhdojë dhe në vitin 2017. Pavarësisht vazhdimit të investimeve, 34.1% e të anketuarve të Dhomës Amerikane deklaroi se ishte ende e vështirë për ta për të financuar aktivitetin e tyre. Perceptimi për "Ndryshimet në punësim" është rritur pak në vitin 2016 dhe pritet të vazhdojë prirjen pozitive në 2017.

Për ambasadorin amerikan Donald Lu, “2017 do të jetë një vit i shkëlqyer për Shqipërinë”. Duke folur gjatë takimit për prezantimin e rezultateve të vrojtimit të kryer me 141 drejtues të kompanive anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ai u shpreh se “ky është viti kur Shqipëria nis zbatimin e reformës në drejtësi, që do të transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit për të gjithë ju. 2017 është viti kur Shqipëria do të trajtojë korrupsionin në nivele të larta, përmes krijimit të strukturës së posaçme antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. 2017 do të jetë viti në të cilin BE dhe SHBA mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për t’u përballur me sfidën e stërmadhe shoqërore të krimit të organizuar dhe të drogave të paligjshme. Kjo do të krijojë mundësi edhe më të mëdha për biznesmenët e ndershëm. Disa njerëz mendojnë se unë jam optimist. Nuk jam dakord! Unë jam realist dhe shoh të vijnë gjëra të mira për popullin shqiptar", theksoi ambasadori amerikan.

XS
SM
MD
LG