Lidhje

Situata politika, Rama takon ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE-së


Menjëherë pas kthimit nga takimi i djeshëm i Sarajevës, i krerëve të qeverive të Ballkanit, kryeministri Edi Rama thirri sot në një takim ambasadorët e vendeve të Bashkimit europian, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe atë të OSBE-së Bernd Borschard. Mbi takimin nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar, por mësohet se tema e diskutimeve ka qenë situate e rënduar politike në vende.

Situata politike ne vend, Kryeministri takim me amb e BE, SHBA e OSBE
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00

Tre ditët e fundit, edhe kreu i opozitës Lulzim Basha pati disa dreka pune me ambasadorët e vendeve europiane. Prej 4 javësh opozita po proteston poshtë zyrave të kryeministrit duke kërkuar largimin e tij si një kusht të panegociueshëm, për t’I hapur rrugë një qeverie teknike e cila sipas opozitës do të garantonte standartet për zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. Protesta është shoqëruar me bojkotin e parlamentit, veprim i cili ka çuar në bllokimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ndërkohë që muajin e ardhshëm do të duhet të nisin procedurat dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Pak ditë më parë kryeministri ndërmori papritur dhe disa lëvizje të rëndësishmë në kabinet që çuan në largimin e katër ministrave të tij, ndonëse sipas zotit Rama ato nuk kishin fare të bënin me situatën aktuale politike. Ndryshimet në qeveri mësohet të kenë gjithashtu pjesë e diskutimeve të sotme me ambasadorët.

Opozita i ka konsideruar lëvizjet në kabinetin qeveritar si një “truk të kryeministrit për t’i hedhur hi syve qytetarëve”, duke bërë të qartë se ajo nuk mjaftohet, siç është shrehur me “koka turku” dhe se koka e vetme që kërkon është ajo e vetë kryeministrit. Ndërsa sot kryetari Basha foli me tone të ashpra edhe kundër emërimit në postin e ministrit të Brendshëm të Fatmir Xhafajt, i cili sipas tij ka patur një të kaluar si hetues në kohën e diktaturës: “Ndaj sot nga ky shesh, në prani të kaq shumë të përndjekurve politikë dhe pasardhësve të tyre, le të zotohemi bashkë se Fatmir Xhafaj nuk do kalojë pragun e Ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë”

Dy ditë më parë, për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan Donald Lu duke folur për emërimin e zotit Xhafaj u shpreh se nëse ai “punon në mënyrë agresive kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, ai do të ketë mbështetjen tonë të plotë”, ndërsa nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë që kishin patur me të për Reformën në Drejtësi.

Emërimet e ministrave të rinj nuk janë dekretar ende nga presidenti Nishani. Duke cituar burime pranë tij, mediat shqiptare, kanë bërë të ditur se ai do të marrë kohën e nevoshme për të bërë verifikime rreth figurës së tyre.

XS
SM
MD
LG