Lidhje

Presidenti Trump  pret Kryeministrin e Irakut


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe Kryeministri i Irakut Haider al-Abadi vlerësuan betejën e përbashkët të të dy vendeve kundër Shtetit Islamik. Ata mbajtën takimin e tyre të parë dje në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump tha në fillim të takimit se shpresonte të diskutonte rreth asaj që ai e quajti “vakum” të krijuar nga tërheqja e forcave amerikane nga Mosuli dhe pjesa tjetër e Irakut në vitin 2011.

“Nuk duhet të ishim larguar kurrë; u krijua një vakum dhe diskutuam rreth kësaj. Do të flasim gjatë së bashku dhe ju falenderoj shumë që jemi këtu. E vlerësojmë dhe do të arrijmë diçka. Prioriteti ynë kryesor është të shporrim ISIS-it dhe kjo gjë do të ndodhë; po ndodh edhe tani.”

Forcat irakiane kanë vazhduar operacionet kundër Shtetit Islamik me mbështetjen ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Synimi kryesor i kësaj fushate tani është mësymja për të rimarrë qytetin Mosul nga militantët që u futën në qytet nga mesi i vitit 2014.

Takimi i parë i udhëheqësit irakian me Presidentin Trump vjen ndërsa administrata amerikane përgatitet për takimin e kësaj jave të 68 vendeve të Koalicionit Global kundër Shtetit Islamik. Takimi në Departamentin e Shtetit është i pari i koalicionit të plotë që nga dhjetori 2014.

Ndërsa është e paqartë shkalla e angazhimit amerikan për të siguruar një ndihmë të tillë, e mbuluar nga propozimet e presidentit Trump për shkurtime të fondeve deri në 30 përqind të buxhetit të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Që të dyja këto agjenci përqendrohen në mënyrë të konsiderueshme tek nismat ndërkombëtare për paqeruajtje dhe programet e zhvillimit.

XS
SM
MD
LG