Lidhje

BE, takim për Brexit më 29 prill


27 anëtarët e mbetur të Bashkimit Evropian do të mbajnë një takim të veçantë më 29 prill për të krijuar një plan lidhur me negociatat e daljes së Britanisë nga blloku, tha sot Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Njoftimi i zotit Tusk vjen një ditë pas njoftimit të Britanisë se më 29 mars do të fillonte procedurat për largimin nga Bashkimi Evropian.

"Përparësia jonë kryesore për negociatat duhet të jetë krijimi i një procesi sa më të sigurt dhe sa më të qartë për të gjithë qytetarët, kompanitë dhe vendet anëtare që do të ndikohen negativisht nga Brexit," tha zoti Tusk.

Pasi Britania të fillojë procesin e daljes nga Bashkimi Evropian javën e ardhshme, të dyja palët do të kenë afat deri në mars të vitit 2019 për të rënë dakord mbi kushtet e ndarjes dhe për arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare.

Zoti Tusk tha se i vinte keq për vendimin e Britanisë për t'u larguar nga blloku, por shtoi se do të bëjë gjithçka mundet për të pakësuar ndikimin e këtij vendimi mbi "partnerët dhe miqtë" e BE-së në botë.

"Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë procesin e divorcit më pak të dhimbshëm për BE-në," tha ai.

Britania votoi në referendumin e vitit të kaluar për të dalë nga Bashkimi Evropian, pas anëtarësimit mbi 40-vjeçar në bllok dhe në paraardhësin e tij, Komunitetin Ekonomik Europian.

XS
SM
MD
LG