Lidhje

Vdes Martin MCGuinness, ish-komandant i IRA-s


Martin McGuinness, ish-komandant i Ushtrisë Republikane Irlandeze, i cili më vonë ndihmoi për arritjen e një marrëveshje paqeje në Irlandën e Veriut, vdiq sot në moshën 66 vjeçare.

Ai ka qenë zëvendësministër i parë i Irlandës së Veriut për një dekadë përpara se të largohej në janar për shkak të një sëmundjeje që nuk është bërë publike.

Partia e tij, Sinn Fein shprehu pikëllim për vdekjen e tij, duke thënë se ai "do t’u mungojë të gjithë atyre që e njihnin."

"Ai ishte një republikan i pasionuar i cili ka punuar pa u lodhur për paqen dhe pajtimin dhe për ribashkimin e vendit", tha Kryetari i grupit Sinn Fein, Gerry Adams.

McGuinness shpejt u shndërrua në një komandant të shquar të IRA-s në fillim të viteve 1970 ndërkohë që grupi paraushtarak po bënte fushatë për shkëputjen e Irlandës Veriore nga Britania dhe bashkimin e saj me Irlandën.

Konflikti mes nacionalistëve irlandezë katolikë dhe protestantëve kryesisht pro-britanikë la më shumë se 3.500 të vdekur në tre dekada.

Ai hyri në politikë në vitin 1982 kur u zgjodh për herë të parë në asamblenë e Irlandës Veriore, dhe nga fundi i viteve 1990 ishte një negociator i rëndësishëm në marrëveshjen e paqes të së Premtes së Mirë që shënoi hapin e parë të madh drejt përfundimit të dhunës në vend.

XS
SM
MD
LG