Lidhje

Administrata Trump: pasoja për qytetet që mbrojnë imigrantët e paligjshëm


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Jeff Sessions ka paralajmëruar se qytetet dhe shtetet që mbrojnë imigrantët kriminelë nga deportimi mund të përballen me shkurtime fondesh federale. Zoti Sessions u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin ligjet e imigracionit. Por ka rezistencë në lidhje me masat më të ashpra kundrejt imigrantëve, sepse shumë amerikanë i konsiderojnë ato çnjerëzore. Materiali u përgatit nga korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke.

Demonstrata sporadike kundër deportimit të imigrantëve janë mbajtur në mbarë vendin. Disa politikanë kanë shprehur publikisht kundërshtimin e tyre.

“Kjo frikëson komunitetin tonë...frikëson komunitetin e imigrantëve si dhe të vendasve. Dhe na bën të ndihemi sikur jemi sulmuar. Duhet ta kuptoni se kjo vjen pasi presidenti i quajti meksikanët përdhunues dhe kriminelë,” tha Rafael Anchia, një ligjvënës demokrat i shtetit të Teksasit.

Shkolla, kisha dhe qytete të tëra kanë vendosur t’u ofrojnë mbrojtje imigrantëve pa dokumente. Një prej tyre është një kishë në Buffalo të Nju Jorkut.

“Ne do t’ua hapim dyert. Do t’u ofrojmë strehim, ushqim dhe vende ku ata mund të ndjehen të sigurt,” tha reverendi Justo Gonzalez.

Por Prokurori i Përgjithshëm u kujtoi amerikanëve të hënën se do të ketë pasoja nëse nuk deportohen imigrantët që janë arrestuar për krime të caktuara.

“Për më tepër, Departamenti i Drejtësisë do t’i kërkojë nga zona juridike që kërkojnë ose aplikojnë për fonde nga Departamenti i Drejtësisë të vërtetojnë pajtueshmërinë me kodin 1373 si kusht për marrjen e këtyre fondeve” tha zoti Sessions.

Mundësia e humbjes së fondeve federale ka bërë që disa qytete të braktisin statusin e tyre si streha të sigurta.

“Është e rëndësishme për ne që mos të përfshihemi, sepse ne nuk duam të rrezikojmë fondet tona federale – fondet që marrim tani dhe ato që mund të marrim në të ardhmen” tha kryebashkiaku i komunës Miami-Dade, Carlos Gimenez.

Por reagimi nuk është i përgjithshëm. Merilendi, shtet në kufi me kryeqytetin e vendit, po shqyrton një projekt-ligj që do ta bënte të gjithë shtetin një strehë të sigurtë për imigrantët. Zoti Sessions tha se do të ishte një gabim i rëndë.

“I lutem popullatës së Merilendit të kuptojnë se kjo e vë shtetin më në rrezik për dhunë dhe krim. Nuk është politikë e mirë,” tha Prokurori i Përgjithshëm.

Presidenti Donald Trump i tha Kongresit muajin e kaluar se administrata e tij është duke iu përgjigjur kërkesave të popullit amerikan për zbatimin e ligjit të imigracionit dhe të sigurisë së kufijve.

“Duke zbatuar ligjet tona të imigracionit, ne do të rrisim pagat, do të ndihmojmë të papunët, do të kursejmë miliarda dollarë dhe komunitetet tona do të jenë më të sigurta për të gjithë” tha presidenti.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara tha se njësitë administrative që kërkojnë të mbrojnë autorët e sulmeve, vjedhjeve, krimeve të drogës, përdhunimeve dhe vrasjeve, vënë komunitete të tëra në rrezik, duke përfshirë komunitetet e imigrantëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG