Lidhje

SHBA, Gjykata e Lartë dhe beteja në Senat


.
.

Një komision i Senatit miratoi dje kandidaturën e gjykatësit Neil Gorsuch për Gjykatën e Lartë. Faza tjetër në procesin e emërimit është në sallën e Senatit, ku pritet një betejë e ashpër që mund të provokojë një ndryshim në rregullat e votimit të kësaj Dhome të Kongresit. Të gjithë republikanët e Komisionit Juridik e mbështetën zotin Gorsuch, ndërsa demokratët e kundërshtuan.

Ndasitë partiake u thelluan lidhur me kandidatin e propozuar nga Presidenti Trump.

“Gjykatësi Gorsuch është jashtëzakonisht i kualifikuar. Ai e praktikon ligjin ashtu siç e hartojmë ne në Kongres”, thotë senatori republikan Chuck Grassley.

“Nuk mund ta mbështes kandidaturën e tij. Ishte e vështirë të kuptoje pikëpamjet e zotit Gorsuch, sepse ai refuzoi t’u përgjigjej shumë pyetjeve, edhe kur ishin pyetje bazë, të cilave kandidatë të mëparshëm u janë përgjigjur”, thotë senatorja demokrate Dianne Feinstein.

Demokratët kritikuan hezitimin e zotit Gorsuch që të paraqiste këndvështrimet e tij për çështje të rëndësishme ligjore në seancën e konfirmimit muajin e kaluar.

“Përveçse kur bëhej fjalë për peshkim ose basketboll, gjykatësi Gorsuch nuk pranoi të jepte asnjë përgjigje të hollësishme”, thotë senatori demokrat Patrick Leahy,

Republikanët vunë në dukje se kandidatët e Gjykatës së Lartë historikisht kanë refuzuar të hyjnë në detajet e vendimeve të mundshme për çështje delikate dhe të debatueshme.

“Të kërkosh garanci nga kandidati për mënyrën se si do të votojë për çështje të veçanta ligjore, kjo minon pikërisht pavarësinë që ne kërkojmë nga Gjykata e Lartë”, thotë senatori republikan Chuck Grassley..

Të paktën 41 senatorë demokratë janë kundër zotit Gorsuch, numri i nevojshëm për të bllokuar emërimin përmes një procedure që pengon votimin. Kjo manovër kërkon një shumicë prej tre të pestash për të mundësuar një votë përfundimtare në Senatin me 100 anëtarë.

Por republikanët mund t’I ndryshojnë rregullat e Senatit, ta eliminojnë këtë manovër për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe ta konfirmojnë zotit Gorsuch me një shumicë të thjeshtë.

“Kjo manovër për bllokimin e kandidatit të Gjykatës së Lartë nuk do të funksionojë, sepse nëse do të na duhet, do t’i ndryshojmë rregullat dhe mesa duket do të jemi të detyruar ta bëjmë një gjë të tillë”, thotë senatori republikan Lindsey Graham..

Historikisht, kandidatët e Gjykatës së Lartë janë konfirmuar me mbështetjen e të dyja palëve. Por ky parim pësoi një goditje vitin e kaluar kur republikanët refuzuan të merrnin në konsideratë kandidatin e propozuar nga ish-Presidenti Barack Obama, Merrick Garland dhe pikërisht për këtë arsye nuk po përdoret për zotin Gorsuch që nëse konfirmohet, do të zinte vendin e gjykatësit Antonin Scalia, i cili vdiq vitin e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG