Lidhje

Sulmi në Siri, SHBA dhe Rusia bëjnë deklarata të kundërta


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia bënë deklarata të kundërta të mërkurën rreth sulmit me armë kimike në Siri që vrau 72 njerëz.

Administrata e Presidentit Trump u qëndroi akuzave të saj, duke fajësuar forcat e presidentit sirian Bashar Asad me përgjegjësi për sulmin.

Rusia, aleati më i fuqishëm i Assadit paraqiti një version të ndryshëm. Zyrtarët ushtarakë të Rusisë këmbëngulën se lënda kimike u shpërnda kur avionët luftarakë sirianë bombarduan një punishte, në të cilën rebelët po prodhonin armë kimike.

Në Kombet e Bashkuara, ambasadorja e presidentit Donald Trump, Nikky Haley, kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin veprime të njëanshme nëse bota nuk vepron.

“Kur Kombet e Bashkuara vazhdimisht dështojnë në detyrën e tyre për të vepruar kolektivisht, ka raste në jetën e shteteve, kur detyrohemi të ndërmarrim vetë veprime,” deklaroi ambasadorja Haley. Ajo foli në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit, ku u debatua rreth një rezolute që dënonte përdorimin e armëve kimike në Siri. Rusia, e cila ka të drejtën e vetos, është shprehur kundër rezolutës.

Në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e përqendroi vëmendjen diku tjetër: “Është e nevojshme të kërkohet që kryengritësit të lejojnë qasje të plotë për të studiuar zonën dhe për të mbledhur informatat e nevojshme,'' tha ajo.

Udhëheqësit dhe zyrtarët në vendet e tjera, duke përfshirë Britaninë dhe Izraelin, u bashkuan me SHBA-në duke thënë se përgjegjësia binte mbi forcat e Asadit.

Një zyrtar i SHBA tha se analiza e radarëve dhe vlerësime të tjera tregojnë se në kohën e sulmit në zonë fluturonin avionë sirianë. Uashingtoni ende nuk ka arritur në përfundimin se çfarë lloji armësh kimike ishin përdorur.

Reagimet në SHBA dhe të udhëheqësve të tjerë

Në një deklaratë të lëshuar të martën presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump denoncoi sulmin si një akt "të dënueshëm dhe që nuk mund të injorohet nga bota e qytetëruar",

Në fillim të një takimi të madh ndërkombëtar në Bruksel për të ardhmen e Sirisë, ministri i jashtëm britanik Boris Johnson tha se "të gjitha dëshmitë" që ai ka parë të shtyjnë të besosh se sulmet janë kryer nga regjimi i Assad-it. Ai tha se është e pamundur të imagjinohet se regjimi ka ndonjë autoritet legjitim në vendin e shkatërruar nga lufta.

Koalicioni Kombëtar Opozitar sirian e përshkroi sulmin si një "masakër të tmerrshme", që besohet gjerësisht të jetë shkelja më e madhe e së drejtës ndërkombëtare në Siri që prej vitit 2013. Aso kohe një hetim i Kombeve të Bashkuara doli në përfundimin se qindra civilë u vranë me gaz sarin në afërsi të Damaskut.

Ndërkohë vëzhguesit e një organizate siriane për të drejtat e njeriut thanë se të paktën 25 persona të tjerë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, u vranë të martën si pasojë e sulmeve ajrore në disa qytete në lindje të Damaskut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG