Lidhje

Erdogan kërcënon: Sulme të reja kundër PKK-së


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërcënuar se do të nisë operacione ushtarake në Irak dhe Siri kundër grupit rebel kurd të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të cilin Ankaraja e konsideron si organizatë terroriste.

Në një intervistë televizive, Erdogan njoftoi se ushtria është duke përgatitur operacione të reja ndërkufitare kundër PKK-së. Ai i bëri komentet në valën e përpjekjeve për të gjetur mbështetje për referendumin e javës së ardhshme, me të cilin synon të zgjerojë pushtetin e tij presidencial,

Ai tha se përfundimi i operacionit turk “mburoja e Eufratit”, që vinte në shënjestër si PKK-në ashtu edhe Shtetin Islamik në Siri, nuk është fundi i inkursioneve në fqinjin jugor të Turqisë.

Erdogan tha se, “operacionet e ardhshme do të shtrihen në Irak dhe Siri".

Vëzhguesit theksojnë se një qëndrim i ashpër ndaj PKK-së, që lufton për të drejtat e pakicave, i shkon për shtat qëndrimit të nacionalistëve turq, që mbështeten nga zoti Erdogan.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë mbështetur fuqishëm luftëtarët kurdë të Sirisë. Ata përbëjnë shtyllën kurrizore të forcave demokratike siriane që kanë rrethuar Rakën, kryeqytetin e vetë shpallur të Shtetit Islamik.

Ka zëra që paralajmërojnë se një inkursion ushtarak turk në rajonin kurd në Siri, do të kishte pasoja serioze që do t'i tejkalonin qëllimet e luftës kundër PKK-së.

Vëzhguesit theksojnë se politika e jashtme turke po bie viktimë e fushatës për referendumin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG