Lidhje

Droga, goditet grupi shqiptaro-italian në Durrës


Një grup shqiptaro-italian i cili dyshohet për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë u godit falë një hetimit të përbashkët mes Prokurorisë shqiptare për Krimet e Rënda dhe Prokurorisë italiane të Leçes dhe Guardia di Finanza-s. Sipas njoftimit të shpërndarë sot nga Prokuroria shqiptare, në pranga kanë përfunduar 7 persona, mes të cilëve 5 janë shqiptarë dhe dy italianë, të cilët kishin mbërritur me skaf nga Italia për t’u ngarkuar me marijuanë.

Prokuroria ka bërë të njohur edhe dinamikën e lëvizjeve të grupit. “Nga hetimet e deritanishme ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Eduart Sallaku është në krye të këtij grupi kriminal, në rolin e organizatorit të trafikimit të lëndës narkotike nga Gjiri i Lalëzit (bregdetin e Durrësit) në drejtim të Brindizit. Gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda – vazhdon njoftimi - rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit italianë Gianfranco Maiorano (me precedente penal në shtetit Italian, më shumë se një herë) dhe Donato Carlucci, kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të trafikuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike”.

Sipas prokurorisë grupi është vënë në lëvizje në datën 5 Prill ku “Sallaku, është afruar në këmbë pranë bregut të detit dhe ka hipur në skafin në pronësi të shtetasit Lazër Lazri. Të dy kanë pritur ardhjen e një tjetër skafi, të nisur nga Italia, në bordin e së cilit gjendeshin dy shtetasit italianë. Lazër Lazri është kontaktuar nga shtetasi Vitor Brahja, me qëllim që të ndihmonte në transportimin e lëndës narkotike nga brendësia e pyllit për në bordin e skafit të tij dhe, më tej, ta transportonte në skafin e shtetasve italianë më në brendësi të detit”. Nga hetimet e prokurorisë rezulton se Brahja ka kontaktuar me dy nipërit e tij Jurgen dhe Gjon Brahja, të cilët, përveç ndihmës në ngarkimin e lëndës narkotike, do të monitoronin dhe zonën përreth për të sinjalizuar më pas Eduart Sallakun për prezencën e forcave policore”.

Autoritetet ishin përgatitur të ndërhynin në momentin që do të bëhej transportimi i drogës, por sipas Prokurorisë ato kanë vepruar më shpejt pasi pjestarët e grupit duket se kishin pikasur veprimet e policisë e cila po i mbante nën mbikqyrje.

Të shtatë personat e dyshuar janë shoqëruar dhe më pas ndaj tyre është marrë masa e ndalimit, dhe sipas Prokurorisë, në bazë të hetimeve të deritanishme, por edhe të deklarimeve që të ndaluarit kanë dhënë “u krijuan dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Goditja e këtij grupi pason njoftimet e shpeshta të autoriteteve për zbulimin e rasteve të shumta të trafikut të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë, dhe sasive të mëdha të lëndës narkotike të kapura në brigjet e të dy vendeve

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG