Lidhje

Vrasja ish zyrtarit të policisë, shpërblim për informatorët


Policia ka njoftuar sot se ka vënë një shpërblim prej 3 milion lekësh për këdo që do të japë informacion rreth autorëve të vrasjes së ish zyrtarit të policisë Artan Çuku. Deri më tani për atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme, nuk ka asnjë të arrestuar, ndërsa të paktën 11 persona janë shoqëruar. Çuku ka qenë një oficer karriere. Ai ka shërbyer në detyra të ndryshme. Në vitet 2009-2011, ai ka qenë nëndrejtor i Policisë së Tiranës, ndërsa më pas, Drejtor në Policinë e Vlorës në vitet 2012-2013. Në vjeshtën e vitit 2013 ai ishte pjesë e një numri të madh drejtuesish të policisë të cilët u lëvizën nga detyra, pas zgjedhjeve të atij viti, duke u emëruar në Akdeminë e policisë, ndërsa në 2014 u liruan nga radhët e uniformave blu.

Çuku u qëllua në hyrje të pallatit ku ai banonte, në një zonë të populluar të kryeqytetit, nga të paktën dy atentatorë, të cilët kanë përdorur armë të ndryshme. Policia tha se kishte gjetur në vendngjarje 2 gëzhoja arme të kalibrit 9mm dhe 5 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm. Pas vrasjes autorët dyshohet se janë larguar në drejtime të kundërta për të humbur gjurmët.

Autoritetet po hetojnë në disa pista, si ajo që lidhet me aktivitetin e tij në polici, ashtu dhe me aktivitetin e tij privat. Çuku zotëronte një kompani private sigurie, dhe konkurrenca në këtë sektor mund të jetë një nga dyshimet. Sikundër është rihapur dhe dosja e një ngjarjeje të ndodhur në vitin 2005, kur ai shërbente si shef komisariati në Tiranë dhe një i ri i shoqëruar në mjediset e komisariatit vrau veten pasi sipas variantit zyrtar të kohës, kishte mundur t’i merrte Çukut nga brezi pistoletën.

Në mesditë në Drejtorinë e policisë së kryeqytetit u zhvilluan dhe homazhet për nder të ish zyrtarit që humbi jetën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG