Lidhje

Tillerson në Itali për takimin e ministrave të Shtatëshes


Konflikti në Siri, ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut dhe veprimet e Rusisë ndaj vendeve fqinje dhe më gjerë do të jenë në vemendje të takimit të ministrave të jashtëm të G-7ës që mbahet në Itali.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson do të takohet me homologët e tij përpara se të shkojë në Moskë për bisedime.

Vizitën e tij në Itali, sekretari amerikan i shtetit Tillerson e nisi në monumentin që përkujton viktimat e trupave naziste në një ngjarje të vitit 1944.

Duke komentuar për gazetarët, zoti Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara do të ngarkojnë me përgjegjësi "të gjithë ata" që kryejnë krime kundër njerëzve të pafajshëm kudo në botë.

Ky vend do të shërbejë si burim frymëzimi për ne”, tha sekretari amerikan i shtetit.

Nga Grupi i Shtatëshes priten rezultate më konkrete në fund të muajit maj, në takimin e udhëheqësve të këtyre vendeve po në Itali.

Por takimi i ministrave të jashtëm sot dhe nesër do të hedhë bazat për këto bisedime, me prioritet bashkërendimin e përpjekjeve për dëbimin e Shtetit Islamik nga Siria dhe Iraku.

Zoti Tillerson tha të dielën se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj planit ndërkombëtar të përcaktuar në Gjenevë në vitin 2012, për t’i dhënë fund konfliktit në Siri. Takimi i Gjenevës mbahej vetëm një vit pas fillimit të luftës Siri dhe, që nga ajo kohë, konflikti ka marrë përmasën e një katastrofe masive humanitare.

Komunikata e Gjenevës bënte thirrje për një kushtetutë dhe zgjedhje të reja në Siri, por nuk specifikonte fatin e presidentit Bashar al-Asad. Ditët e fundit zyrtarët amerikanë kanë dhënë deklarata të ndryshme lidhur me politikën e mëparshme të Shteteve të Bashkuara se Assadi duhej të largohej nga pushteti. Zoti Tillerson tha se fokusi tani për tani është Shteti Islamik dhe se e ardhmja e Assadit është në dorë të vetë sirianëve.

"Mendoj se ajo që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë duan të bëjnë është t’i mundësojnë popullin sirian ta marrë vetë këtë vendim" tha zoti Tillerson për CBS News. "Ne e kemi parë se çfarë ka sjellë ndryshimi i regjimit të dhunshëm në Libi dhe kaosit që ka krijuar."

Libia është një tjetër temë për G7-ën. Ky vend ka vuajtur shumë nga paqëndrueshmëria politike që prej përmbysjes në 2011 dhe vrasjes së udhëheqësit të saj Moamar Gadafi.

Shumica e anëtarëve të G7 –ës morën pjesë në një operacion ajror të udhëhequr nga NATO-ja dhe të mbështetur nga një rezolutë e Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur civilët prej sulmeve të qeverisë libiane. Rusia e kundërshtoi këtë mision, duke deklaruar se zgjidhja duhet të ishte më e gjerë sesa parashikohej në rezolutë.

Aneksimi i Krimesë prej Rusisë në vitin 2014 e çoi G7-ën në vendimin për të pezulluar përfshirjen e Rusisë në grupin e Tetëshes.

Konflikti në Ukrainën lindore pritet të jetë ndër temat që zoti Tillerson do të trajtojë me zyrtarët rusë në Moskë.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se zoti Tillerson ka të ngjarë t’i kërkojë Rusisë të respektojë angazhimet e saj në bazë të marrëveshjeve të arritura në Minsk për të ndalur luftimet në lindje të Ukrainës si dhe të punojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

"Ai do të përsërisë se sanksionet do të mbetet në fuqi derisa Rusia të ndalë veprimet që i shkaktuan ato dhe se sanksionet e lidhura me Krimenë do të qëndrojnë derisa atje të ketë një ndryshim," tha zyrtari i lartë amerikan.

Provat me raketa bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut do të jenë një tjetër temë e diskutimit. Kjo është një pikë takimi mes Shteteve të bashkuara dhe Rusisë, që së bashku me disa vende kanë dënuar prova të kësaj natyre në të shkuarën.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se në përgjithësi zoti Tillerson do të theksojë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë në fushat me interes për popullin amerikan, por do të "mbajnë Rusinë përgjegjëse kur ajo shkel normat ndërkombëtare".

Çështja më e mprehtë në marrëdhëniet mes dy vendeve mund të jenë pretendimet e ngritura nga komuniteti amerikan i zbulimit se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar me qëllim rritjen e shanseve të zotit Trump për të fituar.

Zoti Tillerson pritet ta ngrejë këtë temë, dhe sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, ai e sheh atë si një shembull të çështjeve ku Rusia po "krijon tensione të panevojshme që dëmtojnë besimin."

Përgjithësisht, bisedimet mbi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të shërbejnë si një hap për eksplorimin e mundësive për një takim të drejtpërdrejtë mes presidentit Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG