Lidhje

Në Letoni, popullata ruse mes dy kulturave


Rusia e argumenton aneksimin e Krimesë në 2014, si dhe mbështetjen që u jep kryengritësve në Ukrainën lindore, me nevojën për të mbrojtur popullatën ruse që, sipas Moskës, kërcënohet nga nacionalistët dhe është bërë objekt diskriminimi. Por, megjithë shqetësimet që shkakton retorika ruse, manovrat e shpeshta ushtarake që organizon Moska si dhe kujtimet e agresionit sovjetik, pakica ruse që jeton në vendet e Baltikut nuk e sheh të ardhmen e saj të lidhur me Rusinë.

Teatri Rus në Rigë është dëshmi e pranisë së kulturës ruse në kryeqytetin letonez, si dhe urë mes dy kulturave, në një kohë tensionesh politike:

“Është teatër 135 vjeçar, teatri më i vjetër rus jashtë Rusisë. Në këtë periudhë kohore është ndërthurur në mënyrë shumë harmonike në pejsazhin kulturor të Letonisë,” thotë Edward Cekhoval, drejtor i Teatrit Rus në Rigë.

Vendet baltike, ashtu si Ukraina, kanë pakica ruse që përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullatës. Shumë prej tyre u zhvendosën në këto vende gjatë kohës kur këto republikat ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Por që nga pavarësia, letonezët i referohen Bashkimit Sovjetik si fuqi pushtuese, njëlloj si Gjermania naziste.

“Dallimi mes tyre qëndron në faktin se Gjermania ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë ndjesë. Në librin e përshtypjeve njerëzit shkruajnë shpesh në gjermanisht se ndjejnë pendesë. Por Rusia nuk do t’ia dijë, nuk e sheh si diçka negative atë që ka bërë,” thotë Gunars Nagels, drejtor i Muzeut të Pushtimit të Letonisë.

Persekutimi sovjetik dhe zhvendosjet me forcë ishin mënyra për të mbajtur nën kontroll popullatën vendase. Kritikët thonë se Rusia po u kthehet taktikave dhe retorikës sovjetike, me deklaratat se duhet të mbrojë pakicat ruse dhe pozicionet ushtarake.

“Duke njohur publikisht pushtimin sovjetik dhe duke kërkuar ndjesë, rusët mund të arrijnë të rivendosin besimin,” thotë Ministri i Jashtëm letonez, Edgars Rinkevics.

Pas pavarësisë, kultura letoneze ka marrë hov. Për të votuar apo për të kërkuar punë në shtet, duhet të kalosh provimin e gjuhës letoneze.

“Standardi i jetesës në Letoni dhe Estoni është shumë më i lartë se në Rusi. Popullata rusisht-folëse po gëzon të njëjtat liri si letonezët dhe estonezët që jetojnë këtu,” thotë ministri i jashtëm.

Por Rusia dhe kritikët në radhët e ruso-letonezëve i cilësojnë këto politika diskriminim, madje ndëshkim për të kaluarën sovjetike.

“Ky është problem që prek jetën politike, por edhe shoqërinë letoneze në përgjithësi,” thotë ruso-letonezi Dmitri Prokopenko.

Disa politikanë ruso-letonezë shkojnë shpesh në Moskë për të kërkuar mbështetjen ruse:

“Votuesit tanë këtu ndjekin lajmet që jep Rusia. Kur ne shkojmë për takime në Moskë, njerëzit tanë në Letoni na shohin dhe mendojnë:
‘Sa mirë që jeni në kontakte me ata politikanë’,”
thotë Miroslav Mitrofanov, i Bashkimit Letonezo-Rus.

Megjithëse rusishtja nuk gëzon të njëjtin status si letonishtja, ajo dëgjohet shpesh nëpër rrugët e Rigës, ku pakica etnike ruse përbën 1/4 e popullatës së qytetit.

“Pozita gjeografike e vendit tonë u ofron fëmijëve shumë alternativa. Ata janë qytetarë evropianë,” thotë Liudmila Smirnova, mësuese e letërsisë ruse.

Edhe kritikët më të fortë në radhët e pakicës ruse në Letoni e shohin të ardhmen e tyre të lidhur me Bashkimin Evropian dhe gjejnë tek Rusia vetëm të kaluarën dhe kulturën etnike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG