Lidhje

Zgjedhjet, sot skadon afati, opozita s’regjistrohet


Në Shqipëri, ndërsa sot skadon afati për regjistrimin e partive në zgjedhjet e 18 qershorit, mbi 20 parti opozitare rikonfirmuan se nuk do të marrin pjesë në to.

Kryetari demokrat Lulzim Basha ripërsëriti se opozita nuk mund të shkojë në zgjedhje pa u realizuar kërkesa e saj për një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, tha sërish se ai mbetet i hapur të diskutojë, brenda kornizës kushtetuese, çdo shqetësim që opozita ka lidhur me zgjedhjet.

Zgjedhjet, sot skadon afati, opozita s’rregjistrohet
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Kryetari demokrat Lulzim Basha mblodhi sot paradite drejtuesit e partive opozitare për të rikonfirmuar qëndrimin e bërë publik prej tyre që prej disa javësh, lidhur me zgjedhjet. Nga çadra, përballë godinës së qeverisë, ku opozita prej më shumë se 50 ditësh ka përqëndruar protestën e saj, zoti Basha njoftoi se “koalicioni opozitar i mbledhur në afatin e fundit të limiteve ligjore të regjistrimit, ka vendosur njëzëri, mosregjistrimin e opozitës deri në realizimin e një pakti kombëtar politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike, që do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë me efektivitet drogën dhe paratë e saj dhe do të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Opozita nuk pranon ta quajë këtë veprim si bojkot, duke këmbëngulur se në vend nuk do të mund të ketë zgjedhje me qeverinë aktuale. Deri më tani ajo nuk ka shpjeguar se si do të mund të pengojë procesin. Por prova e parë duket se do të jetë në Kavajë, më 7 maj, ku pritet të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për kreu e Bashkisë. Zoti Basha paralajmëroi një protestë “për të pamundësuar me forcën e bashkimit, përmes një levizje popullore, paqësore dhe demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi. Sepse u kemi premtuar qytetarëve shqiptarë, u kemi premtuar qytetrarëve të Kavajës se, kurrë më nuk do ta lemë fatin e tyre në duart e krimit dhe zgjedhjeve të diktuara nga krimi”.

Ndërsa javën e shkuar qeveria dhe opozita nisën kontaktet për një takim të mundshëm mes kryeministrit dhe kreut të opozitës, asgjë nuk lëvizi. Zoti Rama përsëriti dhe sot se është i gatshëm që “çdo gjë në funksion të adresimit në Kodin Zgjedhor të çdo lloj shqetësimi që mund të ketë opozita, në bashkëpunim me OSBE/ODIHR, që kanë bërë dhe ata rekomandimet e tyre, e po ashtu për çdo mekanizëm të ri që mund të krijohet në funksion të përforcimit të garancive psikologjike për opozitën, se në këndvështrimin tim nuk ka nevojë, ne jemi të hapur ta pranojmë. Por për këto jemi gati të ulemi e të diskutojmë”.

Por për kreun e opozitës, dialogu duhet zhvilluar vetëm për “zgjidhjen që presin shqiptarët”, tha ai, ndërsa e ka bërë të qartë se bisedimet duhen të kenë si objektiv vetëm modalitetet e qeverisë teknike.

Në mesnatë skadon afati i rregjistrimit të partive. Tani sytë janë kthyer edhe një herë te Lëvizja socialiste për Integrim, kreu i së cilës, Ilir Meta, javën e shkuar paralajmëroi dhe tërheqjen e mundshme të minstrave të LSI-së dhe të atij vetë nga posti i kryetarit të parlamentit nëse kjo do t’i shërbente zgjidhjes. Lidhur me një skenar të tillë kryeministri Rama saktësoi se: “Unë e konsideroj qeverinë përgjegjësi dhe detyrat qeverisëse përgjegjësi, jo privilegje të cilat i ke e nga të cilat heq dorë. Nga kjo përgjegjësi, ne nuk mund të heqim dorë për sa kohë jemi mandatuar nga populli për të ushtruar këtë përgjegjësi në shërbim të njerëzve”.

LSI-ja gjithashtu është shprehur se ajo nuk do të bëhej “pjesë e një farse të mundshme elektorale nëse lidershipi i Partisë Socialiste, nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale dhe vullnet politik për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që ajo të jetë pjesë e procesit zgjedhor”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG