Lidhje

Trump: SHBA nuk do të përfshihen më tej në Siri


Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen më tej në Siri pavarësisht nga goditja me raketa që ai urdhëroi javën e kaluar kundër bazës ajrore siriane, nga e cila besohet se u ndërmor sulmi me armë kimike që vrau dhjetëra civilë, përfshirë fëmijë.

"Ne nuk do të hyjmë në Siri,” i tha zoti Trump gazetares së programit Fox Business News, Maria Bartiromo, në një intervistë që do të transmetohet të mërkurën.

Zoti Trump tha se vendosi të japë urdhër për goditjen me raketa pasi kishte parë imazhet e fëmijëve të vdekur nga sulmi kimik në qytetin sirian Khan Sheikhoun. “Kur e pashë këtë, mendova se duhet të bënim diçka," tha zoti Trump.

Presidenti Trump paralajmëroi se mbështetja e presidentit rus Vladimir Putin për presidentin sirian Bashar al-Assad, është "diçka shumë negative për Rusinë dhe për njerëzimin."

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë pretendimet ruse se çlirimi i gazit nervor sarin, ishte rezultat i paqëllimshëm i një sulmi ajror të qeverisë siriane ndaj një depoje municionesh që mbahej nga kryengritësit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmi me armë kimike kundër civilëve ishte i qëllimshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG