Lidhje

Zgjedhjet, ODIHR: Duhen 330 vëzhgues në Shqipëri


OSBE-ja pritet të kërkojë vendeve anëtare dërgimin në Shqipëri të 330 vëzhguesve ndërkombëtarë për të ndjekur zgjedhjet e 18 qershorit. Ky është propozimi i bërë nga një grup ekspertësh të ODIHR-it, në përfundim të misionit të tyre faktmbledhës në Tiranë muajin e shkuar. Sipas tyre, vëzhguesit do të duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë disa çështjeve, që nga rregjistrimi i votuesve e kandidatëve te zhvillimi i fushatës, përfshirë blerjen e mundshme të votave, trysninë dhe abuzimet me burimet e administratës

Raporti i ekspertëve të ODIHR-it bën një vlerësim të situatës që i paraprin zgjedhjeve të 18 qershorit në Shqipëri. Bazuar në takimet e shumta që ata kanë patur në Tiranë, dokumenti vë në dukje shqetësimin që ekziston se “situata aktuale politike dhe mungesa e dialogut, mund të dëmtojë mbajtjen e zgjedhjeve”. Në raport vërehet se rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk u trajtuan, ndërsa vihet në dukje se “ndërsa partitë politike nuk kanë shprehur shqetësime për mundësitë e një fushate të lirë, shumë prej tyre kanë folur për një trysni të mundshme ndaj zgjedhësve, për shitblerjen e votës apo dhe për ndikimin e parave të pista nga grupet e krimit të organizuar”.

Zgjedhjet, ODIHR: Duhen 330 vëzhgues në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Në përfundimet e tyre, ekspertët e ODIHR shprehen se “të gjithë bashkëbiseduesit kanë theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe kanë nënvizuar nëvojën për një mision të gjerë vëzhguesish, duke vënë në dukej faktin se mungesa e marrjes në konsideratë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe vazhdimi i një polarizimi politik në nivel të lartë, mund të kenë ndikim në zhvillimin e zgjedhjeve”. Për këtë arsye ekspertët sugjerojnë se “ka disa aspekte të cilat do të duhet të meritonin një vëmendje të veçantë nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë, që nga rregjistrimi i votuesve dhe kandidatëve, te mënyra e zhvillimit të fushatës, përfshirë këtu shitblerjen e mundshme të votave, trysninë ndaj administratës dhe abuzimet me burimet e saj, apo dhe çështjet e mbulimit mediatik, zbatimit të rregullave të financimit të fushatës, si dhe ndjekja e procedurave në ditën e zgjedhjeve dhe mënyra e trajtimit të ankimimeve”.

Nisur nga kjo situatë, raporti propozon që përveç një grupi ekspertësh në Shqipëri të dërgohet një grup prej 30 vëzhguesish afatgjatë dhe 300 të tjerë që do të duhet të jenë të pranishëm ditën e zgjedhjeve.

Situata para zgjedhjeve të 18 qershorit është e paprecedentë. Janë të paktën 23 parti opozitare, me në krye Partinë Demokratike, forcën kryesore të së djathtës, që nuk kanë pranuar të rregjistrohen në garë. Prej gati 8 javësh opozita po vazhdon protestën për të kërkuar një qeveri teknike që të garantojë sipas saj zgjedhje të lira e të ndershme. Kryeministri Edi Rama edhe sot u shpreh i gatshëm për një dialog pa kushte me opozitën. Kjo e fundit këmbëngul se dialogu duhet të ketë një objektiv, përcaktimin e modaliteteve për qeverinë teknike.

Mbrëmë në një deklaratë të përbashkët, shefja e politikës së jashtme Federica Mogherini dhe Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn shprehën “keqardhje për bojkotin e parlamentit nga ana e opozitës dhe faktin që ajo nuk është rregjistruar në zgjedhje”. Ata i bënë thirrje “të gjithë udhëheqësve politik të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, në respekt të institucioneve dhe të shtrojnë rrugën për zgjedhje demokratike, në linjë me standartet ndërkombëtare”, thekson deklarata e dy përfaqësuesve të lartë europianë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG