Lidhje

BE, reagime ndaj reformave në Hungari


Komisioni Evropian nuk është ende gati të marrë masa kundër Hungarisë, pavarësisht miratimit të një ligji që kufizon lirinë akademike në vend dhe përpjekjeve për të kufizuar lirinë e organizatave të shoqërisë civile. Komisioni Evropian ka përfunduar një analizë ligjore për të parë nëse ligjet e fundit të miratuara nga Hungaria janë në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian.

Nënpresidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian, Frans Timmermans tha të mërkurën se komisioni arriti në përfundimin se zhvillimet në Hungari duhen diskutuar, por nuk kërkojnë veprime nga Brukseli.

"Sipas mendimit të komisionit nuk kemi të bëjmë me një kërcënim sistematik ndaj sundimit të ligjit në Hungari. Kolegji ka rënë dakord se duhet të ketë një dialog më të gjerë politik ndërmjet autoriteteve hungareze, shteteve të tjera anëtare dhe Parlamentit Evropian dhe Komisionit".

Që nga fitorja e Kryeministrit hungarez, Viktor Orban në zgjedhjet e vitit 2010, mediat e pavarura dhe aktiviteti i lirë i shoqërisë civile ka filluar të kufizohet. Ai shpesh kritikon Bashkimin Evropian dhe thotë se është duke punuar për ta transformuar Hungarinë në një "demokraci joliberale".

Pavarësisht nënshkrimit të Deklaratës së Romës mbi të ardhmen e bllokut muajin e kaluar, administrata e kryeministrit Orban ka filluar një fushatë të quajtur "ndal Brukselin", që përfshin një anketë mbarëkombëtare në të cilën qytetarët do të pyeten për masat qe qeveria duhet të marrë ndaj politikave kërcënuese.

Liria akademike në shënjestër

Një ligj i miratuar më parë këtë javë vuri në shënjestër lirinë akademike. Besohet se ligji ka për qëllim të ndërpresë punën e Universitetit Qendror Evropian, i cili është financuar nga miliarderi hungarezo-amerikan George Soros.

Dhjetëra mijëra protestues kanë demonstruar kundër projekt-ligjit të arsimit, dhe po kundërshtojnë një ligj që ka në shënjestër organizatat jo-qeveritare. Ligji pritet të miratohet në muajin maj.

Eszter Kiss e institutit të politikave Eotvos Karoly thotë se ka pasur disa raste kur dukej se punonjësit e organizatës së saj po përgjoheshin nga qeveria. Zonja Kiss mendon se ligji i ri do t’i stigmatizojë edhe më tej organizatat e shoqërisë civile.

"Për shkak të fushatës së urrejtjes dhe praktikave ligjore agresive e të paparashikueshme të qeverisë shumë pak njerëz në Hungari kanë kurajon për të mbështetur hapur OJQ-të dhe ligji do ta vështirësojë situatën. Projekligji u kërkon organizatave të shoqërisë civile që të komunikojnë dhe veprojnë në mënyrë transparente. Në fakt, ato janë të detyruara me ligjet ekzistuese që të publikojnë raportet e tyre financiare".

Drejtorja e Sindikatës Hungareze për të Drejtat e Civile, Stefania Kapronczay thotë se projektligji nuk do të mbyllë menjëherë organizatat, por ai forcon retorikën negative kundër shoqërisë civile. Zonja Kapronczay shpreson se Bashkimi Evropian do të mbrojë demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vend.

"Kur Hungaria u anëtarësua në Bashkimin e Evropian ne u pajtuam për respektimin e këtyre vlerave, kështu që ne presim që Bashkimi Evropian dhe politikanët evropianë të sigurohen që Hungaria të mbështesë dhe të respektojë këto vlera. Ne besojmë se kjo ruan unitetin e bllokut".

Alternativa të pakëta për presion

Komisioni i BE-së tha se në fund të këtij muaji do të bëjë të ditura hapat e ardhshme lidhur me zhvillimet shqetësuese ligjore në Hungari.

Agata Gostynska-Jakubowska e Qendrës për Reformën Evropiane thotë se mjetet e BE për të trajtuar çështjet e sundimit të ligjit nuk janë duke funksionuar si duhet.

"Kur një qeveri shkel ligjin evropian dhe gjatë këtij proces vepron kundër vlerave demokratike komisioni mund të hapë një procedurë për shkelje dhe ta sjellë çështjen para Gjykatës së Drejtësisë. Megjithatë, kjo procedurë nuk mund të zbatohet kur qeveria e një vendi të BE-së tërhiqet nga vlerat demokratike, por nuk shkel ligjet e BE-së. Nëse Komisioni Evropian nuk gjen asnjë dëshmi se ligji i BE-së është shkelur nga reformat e qeverisë për arsimin e lartë, atëherë BE nuk ka çfarë të bëjë".

Një raport i fundit i organizatës Freedom House e rendit Hungarinë me rezultatin më të ulët në klasifikimin e nivelit të demokracisë në Evropën Qendrore. Sipas raportit edhe Polonia është duke dështuar.

Komisionerja e drejtësisë, Vera Jourová tha më parë këtë javë, se Bashkimi Evropian i ndjek me vëmendje "prirjet shqetësuese" në vende si Hungaria dhe Polonia, të cilat kanë marrë disa paralajmërime nga blloku për çështjet që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Në të dyja vendet ka patur protesta masive, por qeveritë e tyre po vazhdojnë zbatimin e axhendave të tyre. Komisionierja Jourová tha se ajo inkurajon njerëzit që të ngrenë zërin kundër këtyre veprimeve.

"Unë nuk besoj se hapat administrative ose masa të tjera ndëshkimore nga Komisioni Evropian kundër ndonjë shteti anëtar do të ndihmonin shumë. Njerëzit në shtetet anëtare duhet të veprojnë dhe të shprehin mendimin për zhvillimet në vendin e tyre dhe për të ardhmen e vendit të tyre," thotë komisionierja Jourová.

Bashkimi Evropian mund të aktivizojë Nenin 7, një masë dënimi që i heq të drejtën e votimit një vendi anëtar. Por, aktivizimi i Nenit 7 kërkon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare dhe është një çështje politike mjaft delikate, e cilësuar si "opsioni bërthamor."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG