Lidhje

Dyshime për kërcënime ndaj sigurisë së Bashës


Në Shqipëri dyshohet se ndaj drejtuesit të opozitës Lulzim Basha ka patur sinjale për kërcënime serioze të sigurisë së tij. Ky fakt i cili qarkulloi në media u konfirmua mbrëmë nga presidenti Bujar Nishani gjatë një intervistë për emisionin “Arena” në televizionin “Ora News”. “Fakti i sigurisë të liderit të opozitës; mund t’ju them vetëm këtë (sepse nuk mund të hyj sot në detaje sepse është çështje shumë e ndjeshme), tashmë është duke u konsideruar dhe unë besoj do të konsiderohet me seriozitet nga agjencitë kryesore ligjzbatuese në vend”, u shpreh presidenti Nishani.

Mediat në Shqipëri kanë folur për një skenar të jashtëm i cili synon destabilizimin e vendit, me pasoja në rajon, në një moment tensioni të lartë politik, kur opozita prej 8 javësh po proteston përpara zyrave të kryeministrisë për të kërkuar një qeveri teknike e cila do të garantonte sipas saj zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. Në këtë linjë ka folur edhe presidenti Nishani kur u pyet për këtë çështje. “Siguria e aktorëve kryesor politikë sidomos në situata shumë të tensionuara politike që mund të eskalojnë në tensione sociale, është një element shumë serioz. E dyta, asnjëherë nuk duhet të neglizhojmë faktin që nuk kemi vetëm miq, por ka edhe mjaft aktor të cilët punojnë dhe synojnë dhe investohen për të destabilizuar Shqipërinë, për të destabilizuar rajonin”, deklaroi kreu i Shtetit.

Fakt është që prej disa ditësh masat e sigurisë për zotin Basha janë përforcuar me trupa dhe mjete shtesë, ndërkohë që ka rënë në sy se dhe kreu i opozitës ka ndryshuar rutinën e lëvizjeve të tij të zakonshme. Vetë zoti Basha nuk është shprehur për këtë çështje, ndërsa sot kryeministri Edi Rama pranoi se ka patur një informacion të tillë por se ka qenë jo fort i pabesueshëm: "Ka pasur një informacion, që është trajtuar me seriozitetin më të madh dhe pavarësisht se gjithë ekspertiza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm dhe burimi është kontradiktor, janë marrë të gjitha masat njësoj sikur kjo ishte diçka realisht e vërtetë. Sepse patjetër që siguria e të gjithë njerëzve dhe pa diskutim dhe e kryetarit të Partisë Demokratike është prioritet numër një, nëse kërcënohet".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG