Lidhje

Mungesa e dialogut, replika Rama-Basha


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha shkëmbyen akuza reciproke për pamundësinë e hapjes rrugë të një dialogu mes palëve. Ndërkohë nga ana e tij kryetari i LSI-së Iir Meta, kritikoi të dyja palët për qëndrimet kategorike duke theksuar rëndësinë që ka për vendin zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme e ku të gjithë të marrin pjesë.

Rama - Basha, replika në distancë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Prej shumë ditësh termi dialog është bërë më i lakuari nga të gjithë aktorët politik, e megjithatë asgjë nuk po ndryshon dhe palët mbeten sërish larg në pozicione, duke bërë të duket e pamundur çdo shpresë për zgjidhje. Kryeministri Edi Rama fajësoi sot zotin Basha se po i shmanget një takimi pa kushte, duke përsëritur sërish ftesën për të biseduar: “Ulu në tryezë. Përcaktoji vetë gjithë modalitetet e uljes në tryezë. Nëse ke frikë nga unë, propozo një rruge dialogu që ty të duket më e lehtë. Ke thënë që dëshiron të ulen të tjerë për të përgatitur uljen tënde me mua. Është absurditet, por s'ka problem. Cakto njerëzit e tjerë, kë të duash. Cakto vendin, ku të duash. Cakto orën, kur të duash. Na lajmëro dhe njerëzit tanë do jenë aty. Vetëm mos u vono dhe mos na vono!”

Zoti Rama megjithatë nuk harroi të shtojë se sipas tij zoti Basha “nuk do të mund të pengojë dot zgjedhjet dhe as të rrëzojë qeverinë, nëse populli - tha ai - nuk vendos ta largojë më 18 qershor”.

Nuk zgjati shumë përgjigja e kreut të opozitës: “Në qoftë se ta mban të ndahesh nga krimi, pikat janë rakorduar: Qeveri teknike, mandati i qeverisë teknike. Cakto negociatorin. Numrin e negociatorit tim e ke tash 8 ditë”, deklaroi zoti Basha

Në mes këtij shkëmbimi replikash thuajse të përditshme, kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta, bën përgjegjës të dyja palët. “Edi Rama nuk është kryeministri vetëm i PS, as vetëm i këtij koalicioni. Eshtë kryeministri i Shqipërisë, dhe ka detyrim kushtetues të ofrojë dhe garantojë besim për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk duhet të ftojë vetëm formalisht për dialog por duhet të jetë i përmbajtur që të mos i japë shkas palës tjetër, që të vazhdojë e të përshkallëzojë një retorike të paparanueshme. Unë nuk them që Edi Rama duhet të japë dorëheqjen si kryeministër. Kur flas për qeveri besimi, është që këtu nuk ekziston një besim real i përgjithshëm te zgjedhjet”.

Zoti Meta këmbënguli në nevojën e garancive për opozitën “jo për të plotësuar kërkesa të pamundura të opozitës por për të bërë çdo gjë që të lejon mirëbesim dhe vullnet të mirë që qytetarët do të votojnë të lirë, se nuk do të ketë financime kriminale, apo çdo llloj financimi të paligjshëm, që policia jo vetëm do të jetë neutrale por dhe se do të luftojë drogën si dhe të ndëshkohet çdo njeri e kanditat për deputetë nëse do të ketë tentativa presioni apo shantazhi për shitblerje të votës”.

Kreu i LSI-së deklaroi se do të kërkojë të bisedojë zyrtarisht me kryetarin socialist për situatën dhe se si ata të marrim të gjitha përgjegjësitë që vendi të shkojë në zgjedhje të lira e të ndershme, duke kujtuar se në krahasim më zgjedhjet e kaluara koalicioni mes tyre e ka më të lehtë të rikonfirmohet në pushtet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG