Lidhje

Turqi, vëzhguesit ndërkombëtarë vënë në dyshim rezultatin e referendumit


Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në dyshim rezultatin e referendumit të së dielës në Turqi. Referendumi, i cili do të krijonte një presidencë të fuqishme ekzekutive ndryshe nga sistemi i tanishëm parlamentar, u miratua me një votë të ngushtë dhe kundërshtarët po kërkojnë rivotim.

Në një konferencë shtypi në Ankara, vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë se fushata "Jo" u ndesh me pengesa të shumta, përfshirë mungesën e lirisë së shprehjes, kërcënime dhe pamundësi për qasje mediatike. OSBE-ja flet gjithashtu për keqpërdorim të burimeve administrative nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan i hodhi poshtë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe tha se votimet ishin më demokratiket që janë parë në ndonjë vend perëndimor. Ai i quajti komentet të motivuara politikisht.

Para kësaj, në aeroportin e Ankarasë, Presidenti Erdogan u tha mbështetësve se kishte qenë i detyruar të bënte një luftë të fortë me disa vende të fuqishme që e kundërshtuan fushatën e tij.

Ai tha se ishte sulmuar nga shtete me një mentalitet kryqëzate si dhe nga mbështetësit e tyre brenda Turqisë.

Nuk është e qartë nëse kritikat e zotit Erdogan drejtoheshin kundër Gjermanisë dhe Holandës, vende ku autoritetet i kufizuan planet e ministrave të qeverisë së tij për të mbajtur tubime fushate.

Fletëvotimet pa vulë, proteston opozita

OSBE-ja kritikoi edhe vendimin për të lejuar përdorimin e fletëve të votimit që nuk kishin një vulë zyrtare. "Bordi i Lartë Zgjedhor nxori udhëzime në fund të ditës, që ndryshuan në mënyrë të konsiderueshme, vlefshmërisë e kritereve, në kundërshtim me ligjin", tha gjatë konferencës për shtyp në Ankara Cezar Florin Preda, i grupit të monitorimit.

Partia kryesore opozitare e Turqisë i kërkoi bordit zgjedhor të vendit të anulojë rezultatet e referendumit, pasi sipas opozitës, procesi i votimit përmbante parregullsi të konsiderueshme.

Bordi zgjedhor i Turqisë konfirmoi fitoren e “po”-së në referendum dhe tha se rezultatet përfundimtare do të shpallen pas 11 deri 12 ditësh.

Vendimi i paprecedent i bordit zgjedhor për të pranuar si të vlefshme votat që nuk mbanin vulën zyrtare ka ngjallur zemërim tek partitë opozitare.

Bordi e bëri njoftimin pas ankesave të shumë votuesve se u ishin dhënë fletë votimi pa vulë.

Bulent Tezcan, nënkryetar i Partisë Popullore Republikane, përmendi probleme të shumta gjatë votimit të djeshëm, që i dha një fitore të ngushtë planeve të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të zgjeruar së tepërmi kompetencat e postit të tij:

"Është teknikisht e pamundur të përcaktosh numrin e fletëvotimeve pa vulë, apo për të gjetur se sa prej tyre janë të vlefshme. Sipas Bordit zgjedhor, të gjitha fletëvotimet pa vulë janë quajtur të vlefshme dhe nuk janë dokumentuar,” tha zoti Tezcan.

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu tha se “po”-ja ka marrë 51.4 për qind, ndërsa “jo”-ja 48.6.

Mendimet e votuesve

Mes votuesve, mendimet rreth së ardhmes së vendit ishin të ndryshme:

"Të duket sikur po i themi mirupafshim sistemit të republikës. Besoj se votat na u vodhën. Mendoj se vendimi i Bordit për të numëruar votat pa vulë si të vlefshme është një skandal i madh,” thotë Ebru Tvukçu, banore e Ankarasë.

Një tjetër banore në Ankara, Tugba Kart, thotë:

"Nuk e di se çfarë do të sjellë sistemi i ri por jam e gëzuar sepse njeriu që unë mbështes do të bëhet një president ekzekutiv.”

Ndryshimet në kushtetutën e vendit do ta shndërronin sistemin e qeverisjes nga parlamentar në presidencial, duke i siguruar fuqi të gjera ekzekutive presidentit Erdogan.

Zoti Erdogan ka këmbëngulur se kjo do të krijonte një qeverisje të shpejtë dhe të efektshme që do të lejonte Turqinë të përballojë sfidat e luftës kundër terrorit dhe ngadalësimin ekonomik.

Reformat parashikojnë dy mandate pesëvjeçare për presidentin. Ndryshimet do të hynin në fuqi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të caktuara për vitin 2019.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG