Lidhje

Mbështetje e ulët për presidentin Trump


Presidenti Donald Trump është duke i plotësuar me shpejtësi 100 ditët e tij në detyrë dhe niveli i miratimit për të vazhdon të luhatet te rreth 40 përqindshi, një shifër kjo ende e ulët për një president të ri. Niveli i miratimit për politikën e tij të jashtme është përmirësuar paksa pas sulmeve me raketë të ushtrisë amerikane në Siri dhe në Afganistan, por mbështetja për politikat e tij të brendshme ka ngecur në nivele neutrale.

Pas disa muajve të vështirë në frontin e politikës së brendshme, Presidenti Trump e ka kthyer për herë e më tepër vëmendjen tek shqetësimet e politikës së jashtme, si programi i raketave të Koresë së Veriut dhe sulmet ushtarake të kohëve të fundit në Siri dhe në Afganistan.

“Në këto momente bota është në gjendje konfuze. Kur ne të kemi mbushur 4 vjet në pushtet, mendoj se ka për të qenë shumë më mirë; mund t’ju them se në fund të mandatit tim, bota ka për të qenë në gjendje më të mirë, sepse tani është mjaft e trazuar,”- tha Presidenti.

Shprehja e fuqisë së ushtrisë amerikane u mirëprit nga udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell:

“Një ishte mesazh interesant për shumë nga kundërshtarët tanë në mbarë botën, ashtu si edhe për aleatët, i cili tregon se kjo administratë ka për të qenë më kategorike se sa ajo e mëparshmja.”

Por situata e politikave të brendshme të zotit Trump është më e komplikuar.

Protestuesit kanë kërkuar me forcë që presidenti të bëjë publike taksat. Në Kaliforni pati një përleshje mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të zotit Trump.

Përpjekjet e zotit Trump për shërbimin shëndetësor dhe për politika të tjera të rëndësishme brenda vendit kanë ngecur, për shkak të polarizimit, thotë udhëheqësi i demokratëve të Senat, Chuck Schumer.

“Kemi për të patur vazhdimisht probleme, në se ai nuk gjen rrugë të mesme. Jemi në pritje që ai ta bëjë këtë.”

Që nga fillimi i presidencës së tij, zoti Trump është përpjekur ta zgjerojë bazën e mbështetjes për të, thotë analistja Sarah Binder (BIN-der).

“Ai e filloi mandatin me një nivel mbështetjeje historikisht të ulët, në një kohë që miratimi për republikanët mbetet i lartë, edhe pse ka rënë disi. Është shumë e vështirë të ndërtosh koalicione të mëdha në politikën amerikane, duke u nisur nga një bazë shumë e ulët mbështetjeje.”

Shpresa më e mirë për zotin Trump që ai të përparojë në çështjet e politikës së brendshme mund të jetë që ai të sigurojë mbështetje nga demokratët, edhe në se rrezikon t’i zemërojë me këtë veprim republikanët, thotë analisti William Galston.

“Sipas mendimti tim, në se administrata dëshron me të vërtetë që të përparojë në këtë drejtim, ajo duhet të fillojë të diskutojë menjëherë me demokratët për çështje, si reforma e sistemit të taksave dhe përmirësimi i infrastrkturës.”

Kur pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i 100 ditëve të para të Presidentit Trump, ai është duke u përpjekur tani të balancojë nevojat e ngutshme të programit të tij të brendshëm, në kushtet kur bota ndodhet në mesin e pasigurive dhe ndryshimeve të vazhdueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG