Lidhje

Theth, abuzime me tokat në zonën turistike


Gjykata e Shkodrës vendosi sekuestrimin e rreth 41.500 metër katrorë tokë në zonën turistike të Thethit, të regjistruar në hipotekë në emër të 5 shtetasve. Kjo masë u zbatua me kërkesën e prokurorisë për të parandaluar tjetërsimin e kësaj prone, pasi dyshohet se është regjistruar në hipotekë në bazë të dokumentave të fallsifikuara.

Burime nga Prokuroria e Shkodrës bënë të ditur se janë në përfundim të hetimit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për tre zyrtarët të ish Komunës Shalë, ku përfshihet zona turistike e Thethit. Ish kryetari kësaj komune së bashku me inspektorin e taksave dhe kryeplakun e fshatit Theth, sipas organit të akuzës, dyshohet se kanë plotësuar formularët e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore. Nga kjo kanë përfituar sipërfaqe toke në zonën turistike të Thethit edhe 67 përsona, të cilët nuk janë banorë të këtij fshati, ose janë banorë të qytetit apo fshatrave të tjerë të Shkodrës.

Gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar disa raste abuzimi me tokat në zonat turistike si Velipoja apo Thethi. Vitin e kaluar, gjykata vendosi sekuestrimin e 12.000 metra katrorë tokë në Plazhin e Velipojës, ndërsa pak javë më parë gjykata vendosi sekuestrimin e rreth 23.000 metra katrorë tokë në fshatin Baks-Rrjoll të Velipojës.

Me dhjetra procedime penale janë regjistruar gjatë 25 viteve të fundit për rastet e përvetësimeve të paligjshme të tokave në bregdet, por edhe në zonat e tjera turistike të Shqipërisë. Megjithatë, në më të shumtën e rasteve, përvetësuesit kanë arritur t’i shpëtojnë ndëshkimit të ligjit, ndërsa tokat e grabitura nuk i janë kthyer shtetit apo pronarëve të ligjshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG