Lidhje

Skandali në Fox News; pushohet gazetari O’Reilly


Bill O'Reilly, drejtuesi i emisionit më të ndjekur të lajmeve në stacionet kabllore amerikane, është pushuar nga puna pas akuzave të njëpasnjëshme për ngacmime seksuale e sjellje të parregullt ndaj punonjësve femra. Rrjeti Fox News, ku O’Reilly punonte prej vitesh dhe ku ai ishte një ndër faktorët kryesorë për popullaritetin e kanalit Fox News, me pikëpamje konservatore, nxori një deklaratë ku e cilësonte vendimin një hap të nevojshëm në klimën e krijuar:

Rrjeti Fox News ka humbur yllin e vet të edicionit të lajmeve, një ndër gazetarët që rriti ndjeshëm popullaritetin e këtij stacioni.

Pushimi i tij pason akuza të njëpasnjëshme ndaj O’Reilly-t të ngritura nga kolege dhe ish-kolege të tij, për sjellje të pahijshme dhe forma të ndryshme presioni me tone seksuale ndaj tyre. Pas një hetimi të brendshëm dhe pas presionit në rritje në opinionin publik, Fox News njoftoi dje përmes një deklarate se po i jepte fund kontratës me Bill O’Reilly-n.

O’Reilly u bëri rezistencë të fortë akuzave, duke thënë se ishin të motivuara thjesht nga dëshira për përfitime financiare dhe për të dëmtuar karrierën e një personi publik dhe të suksesshëm. Por e ardhmja e tij në Fox filloi të vihej në pikëpyetje pas një artikulli të New York Times-it më 2 prill, ku njoftohej se pesë gra kishin marrë pagesa të ndryshme nga rrjeti Fox, me një vlerë totale deri në 13 milionë dollar, për të mbyllur akuzat e ngritura kundër O’Reilly-t.

Ishte një imazh negativ që kërkonte vëmendje nga rrjeti Fox, megjithë rëndësinë që kishte emisioni i Bill O’Reilly-t për këtë stacion. Ai ishte mishërimi i vizionit që kishte themeluesi i kanalit Fox News, Roger Ailes, për të krijuar një kanal lajmesh që reflektonte pikëpamjet e “amerikanëve të harruar” që nuk e gjenin veten tek stacionet e tjera që kishin përqafuar një axhendë liberale. Bill O’Reilly e ndihmoi themeluesit Ailes ta kthente Fox News në pulsin e lëvizjes konservatore, populiste që mori hov gjatë viteve të fundit. Por edhe vetë Ailes pati një fund të ngjashëm vjet, kur u detyrua të largohej nga posti i shefit ekzekutiv të Fox News pas akuzave për ngacmime seksuale. Pushimi i O’Reilly-t ishte i pashmangshëm, thotë një analist i zhvillimeve në media:

"Mendoj se ndikoi edhe ndryshimi i udhëheqjes. Roger Ailes nuk është më në krye të rrjetit, janë Rupert Murdoch me djemtë. Rupert Murdoch e vuri veten në krye të Fox News dhe i takonte atij të merrte vendim. Këshilla e djemve e bëri të qartë se O’Reilly nuk kishte të ardhme në Fox News,” shprehet Chris Ariens, redaktor për “Adweek”.

Emisioni i O’Reilly-t, që në 2015 solli për rrjetin FOX 178 milionë dollarë të ardhura nga reklamat, mori goditje të menjëhershme nga tregu, pasi kompanitë filluan të anulojnë reklamat sapo u bënë publike akuzat.

Një presion i fuqishëm erdhi edhe nga aktivistët kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës, të cilët organizuan protesta para redaksisë së Fox News në Nju Jork me thirrjet për pushimin e gazetarit:

"Keni zgjedhur të qëndroni pasivë ndaj dhunës seksuale. Ju të rrjetit Fox keni vendosur të jenë bashkëfajtorë, përkrahës të Bill O’Reilly-t. Ju kërkojmë të ndalni ngacmimet dhe sulmet seksuale; të ndalni praktikat e izolimit dhe frikësimit të viktimave të këtyre akteve, t’i hiqni nga transmetimet Bill O’Reilly-n me shokë,” shprehet një protestuese gjatë një organizimi me thirrjet për largimin e gazetarit, të zhvilluar më 18 prill.

Opinionet janë të skajshme lidhur me vendimin e Fox News, duke reflektuar edhe sa i ndarë është publiku që ndjek lajmet Shtetet e Bashkuara. Shumë shikues shprehen se do t’u mungojë emisioni i tij:

“Është për të ardhur keq. Nuk mendoj se duhet të ishte pushuar. Ai kishte një emision popullor. Nuk e di çfarë konkretisht kishte ndodhur, por nëse kanë të vërteta ato që thuhen, Fox-i ishte i detyruar ta pushonte,” thotë një njujorkez.

Për të tjerë, ai ishte një hipokrit që duhej hequr sa më parë nga transmetimi:

"Ai është i shpifur. Për kaq vjet na ka folur sikur të ishte shenjtor. Ka ardhur koha për ta hequr nga televizioni”.

“Sapo dëgjova çfarë ndodhi dhe nuk jam shumë i çuditur. Mendoj se ishte hap i mirë. Më duket se ishte e bërë e qartë që ai keqtrajtonte gratë në vendin e punës; ka ardhur koha që gjëra të tilla të ndalen,” thotë një turist nga Kalifornia.

Vetë O’Reilly vazhdon të këmbëngulë se është i pafajshëm dhe se akuzat janë të pabaza. Në një deklaratë pas njoftimit të pushimit nga puna, ai thotë se është një realitet trishtues me të cilin ndeshen figurat publike sot.

Pavarësisht goditjes, O’Reilly largohet nga Fox News me një audiencë shumë besnike që do ta ndjekë kudo që ai vendos të punojë.

"Po largohet me një performancë të shkëlqyer. Sapo dolën shifrat dhe ai kishte shikueshmërinë më të lartë në këtë 3-mujor të parë të 2017. Nuk diskutohet që imazhi i tij është dëmtuar, por ai nuk është vetëm në televizion; ai është shkrimtar i suksesshëm dhe ka plot projekte të tjera jashtë rrjetit Fox. Emri i tij do të kujtohet për një kohë të gjatë, ai kishte tërhequr një bazë besnike shikuesish,” thotë analisti Ariens.

Fox News njofton se e ka zëvendësuar Bill O’Reilly-n me gazetarin veteran Tucker Carlson, i cili ka pasur një karrierë të gjatë si opinionist konservator dhe ka punuar më parë në CNN, MSNBC dhe PBS, para se të zëvendësonte gazetaren Megyn Kelly në Fox News.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG