Lidhje

Një amerikan i OSBE-së humb jetën në Ukrainën lindore


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë identifikoi vëzhguesin amerikan, që humbi jetën nga një shpërthim mine në Ukrainën Lindore, si Joseph Stone.

Stone, një ndihmësmjek, po udhëtonte me një makinë që hasi në një minë pranë qytetit Luhansk, në Ukrainën lindore, që është nën kontrollin e rebelëve. Dy vëzhgues të tjerë u plagosën në incident. OSBE-ja ka në këtë zonë të shkatërruar nga lufta të vetmin mision të pavarur monitorues me një personel prej 600 vetash.

Ministria e Jashtme e Austrisë, vendi që ka kryesinë e radhës të OSBE-së, konfirmoi incidentin pranë një fshati të vogël të quajtur Pryshyb.

Sipas njoftimeve, makina kaloi mbi një minë në territorin e kontrolluar nga Republika e vetëshpallur Popullore e Luhanskut. Një deklaratë e rebelëve thotë se ekipi i OSBE-së po udhëtonte përgjatë një rruge të pasigurtë.

Incidenti shënon dhe viktimën e parë në radhët e Misionit Special të OSBE-së për Monitorimin në Ukrainë.

“Deklaratat e bëra nga të tjerë nuk duhet të shpërqëndrojnë vëmendjen nga fakti se shpërthimi nuk duhet të kishte ndodhur dhe se kanë detyrimin për pastrimin nga këto paisje shpërthyese përpara se të mbërrinte misioni patrullues”, tha Alexander Hug, zv/shef i misionit të OSBE-së.

Nga shpërthimi u plagosën gjithashtu një shtetas gjerman dhe një çek, të cilët morën shërbim mjekësor në një spital vendas në Republikën e Luhanskut në Ukrainën lindore.

OSBE ka 600 punonjës në Ukrainën lindore dhe është i vetmi mision i pavarur monitorues në këtë zonë industriale të shkatërruar nga lufta. Misioni përpilon raportime të përditshme për luftën, dhe ka zemëruar rebelët pasi i ka akuzuar ata për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Gjatë tre viteve të fundit, tensionet ndërmjet Ukrainës dhe separatistëve rusë në pjesën lindore të vendit vazhdojnë të rriten, megjithë marrëveshjen e armëpushimit të vitit 2005, e cila shkelet vazhdimisht.

Të paktën 9750 persona janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë që nga muaji prill i vitit 2004. Mbi 40 viktima pati vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti, kur përplasjet u rishfaqën papritur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG