Lidhje

Tiranë: Kuvendi kapërcen pa kandidat raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit të ri


Parlamenti shqiptar zhvilloi në mesditë seancën për zgjedhjen e presidentit të Republikës në raundin e tretë.

Komisioni parlamentar i ligjeve bëri të ditur se as këtë raund nuk ishte paraqitur asnjë kandidat, sipas afateve ligjore.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se grupi parlamentar socialist u dakordësua pa asnjë rezervë për të pritur opozitën.

“Sot dogjëm raundin e tretë, edhe pse i kemi votat për ta zgjedhur presidentin qysh në raundin e parë.

U dhamë gjithë kohën opozitës për të propozuar kandidatë sa më të pranuar, por ata nuk erdhën” - tha zoti Ruçi.

Ai theksoi me tone kritike ndaj kryetarit të parlamentit dhe njëkohësisht drejtues i LSI-së, se PS i ka 71 votat dhe mund ta zgjedhë presidentin e ri edhe pa votat e LSI-së.

"Ne kërkojmë që raundi tjetër të caktohet sa më parë për të zgjedhur presidentin dhe nëse votat nuk arrihen për këtë, atëherë le të shkojmë në zgjedhje të parakohshme sipas Kushtetutës" - tha zoti Ruçi.

Ai tha se zoti Meta, anoi nga opozita dhe kë​mbë​nguli pë​r bisedime me opozitë​n, ndaj dhe nga Gjermania erdhi një​ zotë​ri i nderuar me një​ status të​ trefishtë​, por as kjo nuk ndryshoi asgjë​ në​ që​ndrimet e opozitë​s. Madje në​ bisedime u bë​në​ edhe kë​rkesa që​ në​ Gjermani dhe as në​ ndonjë​ vend tjetë​r demokratik nuk do të​ ishin të​ zakonshme.

"U bë maksimumi vetëm që të plotësoheshin ankimet e opozitës, e cila, si në futboll, edhe kërkon penallti edhe e do portën pa portier. Tani dialogu me opozitën ka mbaruar. Ne nuk duam të përdorim forcën e kartonave, por procesi duhet të shkojë përpara" - tha zoti Ruçi.

Në sallën e Kuvendit ishin vetëm deputetët e shumicës. Opozita vazhdon të qëndrojë jashtë parlamentit.

Edhe dy raundet e para u ezauruan pa ndonjë kandidat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG