Lidhje

Sulmi në aeroportin e Damaskut, reagon Rusia


Qeveria ruse i bëri thirrje Izraelit dhe vendeve të tjera, të shmangin çdo veprim që mund të përshkallëzonte tensionet në Siri. Kjo pas një sulmi ajror që Izraeli kreu të enjten ndaj një depoje furnizimi me armë pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut.

"Të gjitha vendet duhet të tregojnë përmbajtje prej çdo lloj veprimi që çon në një rritje të tensionit në këtë rajon të pastabilizuar", u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Ai tha gjithashtu se sovraniteti i Sirisë duhet të respektohet.

Depoja e armëve kontrollohet nga grupi libanez Hezbollah. Burimet e zbulimit të rebelëve siriane si dhe ato rajonale, thanë se në shënjestër të sulmeve ishin armatimet e dërguara nga Irani me aeroplanë ushtarakë e tregtarë.

Që prej fillimit të luftës në Siri në mars e vitit 2011, Izraeli e kishte bërë të qartë se nuk do të lejonte dërgimin e armëve nga Irani tek njësitë e grupit Hezbollah që luftojnë në Siri.

Forcat izraelite në shumë raste kanë kryer sulme ajrore për të mos lejuar që kjo të ndodhë, por ushtria shpesh nuk ka pranuar përgjegjësinë për sulmet.

Luftëtarët e grupit Hezbollah kanë luftuar hapur në Siri në emër të presidentit Bashar al-Assad që nga viti 2013.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG