Lidhje

Parlamenti malazez miraton ligjin për Komunën e Tuzit


Parlamenti i Malit të Zi, të enjten votoi ndryshimin e Ligjit për Organizim Territorial të Malit të Zi, me të cilin Tuzi do të jetë Komunë e pavarur me të drejta të plota si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi.

Me ndryshimet e ligjit po ashtu parashihet formimi i Këshillit organizativ, në mënyrë që komuna e re të funksionojë pa probleme. Detyrë e këtij këshilli do të jetë edhe organizimi i marrëdhënieve me komunat e tjera, kufizimi territorial dhe ndarja e pasurisë. Ligji i ri i Organizimit Territorial hyn në fuqi më 1 shtator të vitit 2018.

Komuna e plotë e Tuzit ishte kërkesa themelore e parashtruar nga ana e koalicionit “Shqiptarët e vendosur”, në marrëveshjen për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike Socialiste të Malit të Zi, të nënshkruan në nëntor të vitit të kaluar.

Komuna e pavarur e Tuzit ishte ndër kërkesat e para në fillimet e pluralizmit në Mal të Zi nga partitë politike shqiptare, të cilat vazhdimisht kanë kërkuar që rajoni i Malësisë, me shumicë shqiptare, të marrë statusin si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi.

Komuna e Tuzit deri më tani funksiononte si Komunë Urbane nën mbikëqyrjen dhe menaxhimin e kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricës.

Analistët vlerësojnë se Malësia posedon kapacitete dhe burime të mjaftueshme që të veprojë si Komunë e pavarur. Me këtë hap të decentralizimit të pushtetit të Tuzit në Malësi ata besojnë se do të funksionojë në mënyrë me efikase duke respektuar të drejtën e vetëvendosjes për komunitetin shqiptar në Malin e Zi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG