Ajo që për partitë politike shqiptare është sfida e gjetjes së një mirëkuptimi politik, për KQZ është sfida e vërtetë e administrimit të proceseve zgjedhore si në nivel bashkie për Kavajën ashtu edhe për parlamentin e ri.
KQZ u përfshi sot nga debatet mbi listat e kandidatëve për deputetë të 18 qershorit, pikërisht sot kur duhet të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Kavajës.
Këto përgatitje shkuan dëm pas tërheqjes së kandidatit socialist dhe bojkotit të partisë demokratike të opozitës.
Për Kavajën u përgatitën 85 qendra votimi, dhomat e fshehta, kutitë e votimit, mbi 62 mijë fletë votimi, trajnime komisionerësh, kode e vula dhe lehtësi të tjera.
Mbledhja e sotme e KQZ u përfshi nga debatet mbi listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. 3 anëtarë të komisionit u larguan nga mbledhja në shenjë proteste ndaj parregullsive në këto lista.
Ata deklaruan se miratimi i këtyre listave, pa verifikimin e nënshkrimeve dhe përputhjes së tyre me kartat e identitetit të identitetit përbën një shkelje nga kryetari i KQZ-së.
Ndërsa nesër KQZ pritet të shqyrtojë përmbajtjen e fletës së votimit dhe modelet e fletës së votimit për zgjedhjet e 18 qershorit.
Ndërsa PD vazhdoi edhe sot protestën te tenda mes kryeministrisë dhe parlamentit në shëtitoren Dëshmorët e Kombit, duke kërkuar qeveri teknike për të organizuar zgjedhje të lira, e të pandikuara nga paratë e botës së krimit dhe të drogës. Kryetari i PD-së Lulzim Basha, akuzoi KQZ për shkelje ligjore dhe mungesë transparence.
“KQZ-ja është e kapur në flagrancë dhe në krim. Eshtë shfaqur si dëshmitarja e rreme e Edi Ramës. Eshtë një tjetër provë e kolapsit fatal institucional të republikës së vjetër, e komplotit të lirisë dhe të drejtës themelore, që është vota e lirë. KQZ-ja ka marrë fund për ne, si një entitet i republikës së vjetër” - tha zoti Basha.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dita e sotme është afati i fundit kur mund të arrihet një marëveshje me PD për të hyrë në zdhjet e 18 qershorit. Ai i ka quajtur të papranueshme kërkesat e opozitës për qeveri teknike dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
Gjatë një deklarate të përjavshme në rrjetet sociale, zoti Rama tha se opozita nuk e shfrytëzoi hapësirën e lënë nga mazhoranca për të gjetur një zgjidhje, dhe shtoi se duke filluar nga e hëna Partia Socialiste do të nisë rrugën drejt zgjedhjeve të 18 qershorit pa Partinë Demokratike.
“PD-ja nuk e merr dot peng Shqipërinë, as se bën dot vatër të re gjurulldie në rajonin e trazuar nga ndërhyrjet e aktorëve të tjerë kundër BE-së e NATO-s” - tha zoti Rama.
Ai tha se zgjedhjet nuk shtyhen as qeveria teknike nuk pranohet. “As shqiptarët nuk do t’i lëmë nën mëshirën e një lufte qorre për pushtet, duke u hequr të drejtën sovrane të zgjedhin ata vetë qeverinë dhe opozitën që duan për 4 vitet e ardhshme” - tha zoti Rama.
“Kohën e fituar nga tërheqja e PS-së nga Kavaja, PD nuk e shfrytëzoi për të hapur një faqe të re bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës. E humbi këtë kohë të çmuar duke festuar një fitore imagjinare. Dëshira, përpjekja dhe durimi ynë nuk mjaftoi” - tha zoti Rama.
Facebook Forum