Lidhje

Trump, Erdogan bisedojnë në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Donald Trump priti të martën në Shtëpinë e Bardhë Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, një javë pas zemërimit që ngjalli në Turqi vendimi i tij për të autorizuar armatimin e kurdëve të Sirisë.

Zoti Trump tha para takimit se bisedimet në lidhje me marrëdhëniet midis dy vendeve do të ishin të gjata dhe të vështira.

"Ne kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer dhe do ta bëjmë edhe më të mirë. Do të kemi një diskutim shumë, shumë të fortë dhe të shëndoshë, "tha ai.

Shtetet e Bashkuara e shohin forcën kurde, YPG, si një pjesë kyçe në luftën kundër Shtetit Islamik dhe në përpjekjet për të çrrënjosur militantët nga kryeqyteti i tyre de facto në Siri, Raka. Turqia i konsideron terroristë luftëtarët e YPG, për shkak të lidhjeve të tyre me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, që vazhdon prej tre dekadash kryengritjen brenda Turqisë.

Zoti Erdogan e quajti vendimin e SHBA për të armatosur YPG-në "në kundërshtim me marrëdhëniet strategjike me Turqinë."

Ai i përsëriti shqetësimet e tij të martën, duke u thënë gazetarëve se Turqia kurrë nuk do të pranojë përdorimin e luftëtarëve të YPG-së në betejën kundër ISIS-it.

Megjithatë, zoti Erdogan tha javën e kaluar se e shihte vizitën e tij në Uashington si "një fillim i ri në marrëdhëniet turko-amerikane".

Ai tha të martën se bashkëpunimi SHBA-Turqi është "shumë i rëndësishëm për botën" dhe u zotua të zgjerojë lidhjet ekonomike dhe ushtarake midis dy vendeve.

"Në të ardhmen e rajonit tonë nuk ka vend për organizatat terroriste," tha ai.

Para arritjes së Presidentit Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, midis demonstruesve pro-Erdogan dhe një grupi pro-kurdëve pati një përleshje të shkurtër. Dy palët u ndanë shpejt nga policët dhe agjentët e Shërbimit Sekret të vendosur jashtë portave të Shtëpisë së Bardhë.

Si Turqia edhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur kryengritësit në Siri gjatë luftës gjashtëvjeçare kundër forcave dhe aleatëve të presidentit Bashar al-Assad. Gjithashtu, dy aleatët e NATO-s janë përfshirë shumë në luftën kundër Shtetit Islamik, pasi ky grup pushtoi pjesë të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor si dhe të Sirisë lindore në mesin e vitit 2014.

Në komentet për gazetarët, zoti Erdogan ngriti çështjen e statusit të Fethullah Gulenit, klerikut të mërguar që jeton në Shtetet e Bashkuara. Presidenti turk e fajëson klerikun për tentativën e grushtit të shtetit vitin e kaluar. Turqia ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara ta ekstradojë Gylenin, por kërkesa nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG