Lidhje

DASH dënon dhunën mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Erdoganit


Departamenti i Shtetit shprehu sot shqetësim lidhur me incidentet e dhunshme që ndodhën të martën gjatë një proteste para shtëpisë së ambasadorit turk në Uashington. Nëntë persona u plagosën.

Përleshjet ndodhën pas takimit të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në incidentet e dhunshme është përfshirë edhe personeli turk i sigurisë.

Departamenti i Shtetit tha përmes një deklarate, se "dhuna nuk është kurrë e pranueshme si përgjigje ndaj fjalës së lirë. Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e individëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Uashingtoni do t'ja shprehë hapur qeverisë turke shqetësimin tonë të madh".

Policia e Uashingtonit tha se të paktën dy persona u arrestuan gjatë protestës.

Truprojat e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan u përfshinë gjithashtu në përleshjet, që ndodhën në të njëjtën ditë kur udhëheqësi turk u takua me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, policia e Uashingtonit tha se incidenti jashtë ambasadës turke "ishte në kundërshtim me të drejtat dhe parimet e Amendamentit të Parë të kushtetutës amerikane që ne përpiqemi ta mbrojmë çdo ditë". "Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në Departamentin amerikan të Shtetit dhe me Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara për të identifikuar dhe për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë përleshje", thuhej në deklaratën e policisë së Uashingtonit.

Shërbimi turk i Zërit të Amerikës tha se protestuesit ishin kurdë të cilët po bënin thirrje për lirimin nga burgu të ligjvënësit pro-kurd, Selahattin Demirtas.

Policia e zgjeroi perimetrin e sigurisë për të ndarë grupet e protestuesve.

Në videon e regjistruar, në një moment, ambasadori turk në Uashington, Serdar Kilic, shihet duke i bërtitur oficerëve të policisë.

Përleshje të ngjashme ndodhën vitin e kaluar, kur Presidenti Erdogan vizitoi Uashingtonin për një takim të sigurisë bërthamore.

Senatori republikan Ben Sasse, komentoi në Twitter, duke thënë se Presidenti Erdogan duhet "të mbajë parasysh se ky vend është ndërtuar duke respektuar lirinë e shprehjes, të besimit, shtypin e lirë dhe të drejtën për të protestuar".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG