Lidhje

Shqipëri: Zgjedhjet më 25 qershor


Marrëveshja e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha parashikon shtyrjen me një javë të datës së zgjedhjeve, nga 18 në 25 qershor dhe rregjistrimin e partive të opozitës dhe listave me kandidatët e tyre brenda datës 26 maj. Mënyra se si është formuluar marrëveshja nuk lë hapësira për pjesmarrjen e koalicioneve. Një çështje e cila pritet të ngjallë debate, gjatë ndryshimeve që do të duhet të bëhen në kodin zgjedhor për zbatimin e kësaj pike të marrëveshjes. Po më datë 25 Maj do të mbahen dhe zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, të cilat u anulluan pak javë më parë.

Pjesa surprizë e marrëveshjes, ka të bëjë gjithashtu dhe me ndryshimet e thella që janë parashikuar në postet thuajse më kyçe të qeverisë, ku opozita do të ketë përveç zëvendëskryeministrit dhe drejtimin e ministrisë së Brendshme, të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë, të Drejtësisë dhe të Mirëqënies sociale.Të gjithë ministrat e rinj, do të duhet jenë persona teknikë që do të propozohen nga opozita e cila merr dhe drejtimin e disa institucioneve si të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, të Hipotekave, të Burgjeve dhe të Agjencisë së Zhvillimit bujqësor. Po ashtu propozim i opozitës do të jetë dhe Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, dhe Avokati i Popullit.

Palët kanë rënë gjithashtu dakort që në funksion të garancive që opozita kërkon për zgjedhjet të ndryshojë dhe Kodi penal, “për forcimin e politikës penale nëpermjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni”. Do të forcohet edhe kuadri ligjor i financimit të partive politike “nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to”, e po ashtu është parashikuar dhe “përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media”.

Nga ana e saj e djathta do të votojë përfaqësuesit e saj në komisionet parlamentare të cilat do të përzgjedhin anëtarët e strukturave për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Të gjitha këto ndryshime, përfshirë ato në kodin zgjedhor, emërimet e ministrave të rinj, dhe anëtarët e komisioneve të Vettingut, do të realizohen në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit.

Palët kanë vendosur që me fillimin e legjislaturës së re të ndërmarrin një Reformë Kushtetuese si dhe Reformën zgjedhore, përfshirë futjen e teknologjisë elektronike në procesin e identifikimit të votimit dhe numërimit për zgjedhjet e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG