Lidhje

Ukraina bllokon qasjen ndaj disa faqeve ruse në internet


Zyrtarët amerikanë thanë se po ndjekin nga afër një urdhër të qeverisë ukrainase, për bllokimin e qasjes ndaj një numri faqesh elektronike ruse, në raundin e fundit të sanksioneve lidhur me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka marrë një pozicion zyrtar për këtë çështje. Megjithatë një zyrtar amerikan i paidentifikuar, i tha Zërit të Amerikës se vendimi i fundit i presidentit ukrainas, Petro Poroshenko për të ndaluar qasjen ndaj disa faqeve elektronike popullore ruse, si ajo e kërkimeve, “Yandex” për tre vjet, minon të drejtën e sanksionuar me kushtetutë për lirinë e shprehjes.

Megjithë fushatat e mediave të kontrolluara nga Rusia, që kërkojnë të minojnë median perëndimore dhe qeverinë e Ukrainës – me lajme të rreme dhe informacione të pasakta," liria e shprehjes është një element kyç i çdo demokracie të shëndetëshme dhe mishërohet në Kushtetutën e Ukrainës.”

"Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Ukrainës, të gjejë një rrugë për të mbrojtur interesat e saj kombëtare që nuk minojnë parimet kushtetuese”, tha zyrtari.

I pyetur në se kishte ndonjë komunikim mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre ukrainas para njoftimit të zotit Poroshenko për ndalimin e qasjes ndaj faqeve elektronike, zyrtari tha se megjithëse nuk mund të komentonin për bisedat diplomatike private lidhur me këtë çështje, "ne jemi përfshirë shpesh në biseda me qeverinë e Ukrainës rreth rëndësisë së garantimit të lirisë së shprehjes."

Raundi i fundit i sanksioneve shton faqen “Yandex” dhe faqet e medias sociale “Odnoklassniki” dhe “Vkontakte”, në listën e mbi 400 firmave ruse të ndaluara nga Kievi, që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014. Sipas agjencisë “Reuters”, Kremlini ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG