Lidhje

Shqipëri, opozita fillon përgatitjet për zgjedhjet

  • Armand Mero

Në Shqipëri opozita ka nisur menjëherë punën për t’u organizuar për zgjedhjet e 25 qershorit dhe zbatimin e marrëveshjes se arritur një ditë më parë mes kryetarit të saj Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Në selinë e partisë demokratike u zhvillua sot një takim mes krerët e dëgeve dhe më pas me aleatët, me të cilët u diskutua rreth përfaqësimit në zgjedhje kur marrëveshja politike përjashton mundësinë e koalicioneve.

Ndërsa për tre muaj epiqendra politike e opozitës ishte sheshi përpara godinës së qeverisë, pas arritjes së marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit demokrat Lulzim Basha, çadra në bulevard u çmontua që gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërsa e djathta u rikthye në selinë e saj, për të nisur përgatitjet e menjëhershme për zgjedhjet dhe zbatimin e marrëveshjes.

Zoti Basha pati sot dy mbledhje të njëpasnjëshme, me drejtuesit e degëve dhe aleatët e vet. Koha në dispozicion është e kufizuar ndërsa çështjet që duhen zgjidhur nuk janë të pakta. Kreu demokrat ka kërkuar propozime për përfaqësuesit e saj teknik që do të zenë 7 postet në kabinetin e kryeministrit Rama, por edhe ata që do të drejtojnë disa nga institucionet e parashikuara po nga marrëveshja politike.

Nga ana tjetër, brenda 26 majit opozita do të duhet të bëjë jo vetëm rregjistrimin për në zgjedhjet e 25 qershorit, por të dorëzojë dhe listat me kandidaturat. Kjo ka qenë pika kryesore që është diskutuar me aleatët e Partisë demokratike. Në kushtet e pamundësisë për t’u organizuar në një koalicion, drejtuesve të partive të vogla, kryesisht atyre parlamentare dhe me një peshë elektorale specifike, u është ofruar mundësia e përfaqësimit në listat e Partisë demokratike.

Marrëveshja Rama-Basha është penalizuese për forcat e vogla politike, ndërkohë që është parë dhe si një goditje ndaj Lsi-së, gati gati e ngjashme me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Por sipas ish drejtuesit të saj Ilir Meta, kryetar i parlamentit dhe president i zgjedhur, “nuk ka ngjashmëri me 2008-n, sepse jemi në realitete të ndryshme. Mund të ketë ngjashmëri me qëllime të caktuara, por nuk ka ngjashmëri midis dy realiteteve të ndryshme”

Zoti Meta shpjegoi se ende nuk është caktuar data kur parlamenti do të mblidhet për të realizuar një sërë ndryshimesh ligjore të parashikuara në marrëveshje, zëvendësimin e ministrave si dhe plotësimin nga ana e opozitës të komisioneve që do të përzgjedhin anëtarët e strukturave që do të bëjnë rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Çështjes së rivlerësimit i ka kushtuar vëmendje të posaçme dhe Përfaqësuesja e lartë e BE, Federica Mogherini dhe Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn në deklaratën e cila përshëndet arritjen e marrëveshjes “Ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të Vetting-ut, që është kyç për progresin drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të popullit të saj për një të ardhme më të mirë”, thekson deklarata

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG