Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve informohet për rolin e prokurorit të posaçëm


FILE - Republican Congressman Darrell Issa of California.

Ligjvënësi republikan Darrell Issa thotë se është i kënaqur që ish drejtori i FBI-së, Robert Mueller do të ketë hapësirën e duhur për të ndjekur të gjitha drejtimet ndërsa drejton një hetim të pavarur të Departamentit të Drejtësisë lidhur me mundësinë për bashkëpunim mes ekipit të fushatës presidenciale të Donald Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Zoti Issa dhe anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve morën siguri nga zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein gjatë një séance me dyer të mbyllura sot në Kongres, rreth emërimit të zotit Mueller për të drejtuar hetimin.

“Ajo që kam mësuar dhe jam shumë i kënaqur, është se prokurori i posaçëm do të ketë hapësirën e nevojshme për të ndjekur të gjitha drejtimet e drejtëpërdrejta dhe të tërthorta që çojnë tek përpjekjet e Rusisë për të influencuar në zgjedhjet tona”, u tha zoti Issa gazetarëve pas seancës.

Zoti Mueller u emërua prokuror i posaçëm pasi presidenti Trump shkarkoi papritur drejtorin e FBI-së James Comey më 9 maj, duke ngritur shqetësime se shkarkimi ishte një përpjekje nga presidenti për të penguar një hetim të zotit Comey për mundësinë e bashkëpunimit të fshehtë mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë para zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Seanca e sotme në kongres e zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rosenstein ishte e dyta në dy ditë. Zoti Rosenstein informoi Senatin të enjten në një takim me dyer të mbyllura që ishte planifikuar fillimisht për ta lejuar atë të shpjegonte përse presidenti Trump shkarkoi zotin Comey, por fokusi ndryshoi të mërkurën kur zoti Rosenstein emëroi zotin Mueller si prokuror të posaçëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG