Lidhje

Polemika rreth buxhetit të propozuar nga presidenti


Presidenti Donald Trump po propozon të balancojë buxhetin federal brenda 10 vjetësh duke shkurtuar shumë programe sociale, përfshirë ato që ndihmojnë të varfrit të paguajnë për ushqim dhe kujdes shëndetësor.

Zytarët paraqitën disa detaje të projekt-buxhetit të parë të presidentit para se ai të shpallej zyrtarisht sot. Buxheti i propozuar nga presidenti duhet të miratohet nga Kongresi, prandaj forma e tij përfundimtare është shpesh shumë e ndryshme nga projekti që paraqet ai.

Demokratët janë kundër shumë prej planeve të zotit Trump dhe aleatët republikanë të presidentit në Kongres janë të ndarë përsa i takon disa çështjeve të buxhetit.

Projekt-buxheti i Shtëpisë së Bardhë përfshin 3.6 trilion dollarë shkurtime gjatë 10 vjetëve. Më të thellat janë ato për programin e ndihmës shëndetësore, Medicaid që janë parashikuar duke pasur parasysh shfuqizimin e ligjit për reformën shëndetësore të ish-Presidentit Barack Obama dhe mbështeten tek disa reforma të tjera. Ai përfshin edhe 191 miliardë dollarë shkurtime në programin e kuponave ushqimore, nga i cili aktualisht përfitojnë mbi 40 milionë vetë.

Po ashtu parashikohen shkurtime në programet për huatë për pagesat e universiteteve nga studentët, dhe programet e pensioneve për punonjësit federalë, ndërsa parashikohen shtesa për buxhetin e ushtrisë.

Projekt-buxheti është në përputhje me premtimet e zotit Trump gjatë fushatës për të mos shkurtuar programin qeveritar të pensionit, ose Medicare që ndihmon të moshuarit të paguajnë për vizitat mjekësore, spitalet dhe barnat.

Kritikët e buxhetit të zotit Trump thonë se këto programe popullore dhe të shtrenjta përbëjnë vetëm pak më shumë se gjysmën e shpenzimeve qeveritare gjatë dekadës së ardhshme. Ata thonë se është e vështirë të balancohet buxheti pa shkurtime tek programet e pensionit dhe Medicare. Ata shtojnë se zyrtarët e kanë mbështetur projekt-buxhetin tek “parashikimet jorealiste për rritje ekonomike”.

Projekt-buxheti i Shtëpisë së Bardhë mbështetet tek supozimi se politika ekonomike e Presidentit do ta konsolidojë rritjen e ekonomisë më të fuqishme të botës nga 2 për qind në vit në 3 për qind.

Buxheti parashikon 2.6 miliardë dollarë për sigurinë e kufijve, nga të cilat 1.6 miliardë janë parashikuar për murin që Presidenti Trump do të ndërtojë në kufirin me Meksikën. Në buxhet parashikohet gjithashtu shndërrimi në hua i një pjese të ndihmës ushtarake për disa vende, ku nuk përfshihen Izraeli dhe Egjipti, dy nga vendet që përfitojnë ndihmën më masive ushtarake amerikane.

Udhëheqësja e demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi tha se projekt-buxheti i zotit Trump parashikon “shkatërrimin e investimeve për vende pune dhe dobëson ekonominë tonë”. Ajo shtoi se buxheti duhet të përqendrohet tek investimet në vende pune, arsim, energji të pastër dhe kërkime mjekësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG