Lidhje

Industria e makinave elektrike bën përparime


Megjithë shqetësimin e vazhdueshëm për distancën që mund të përshkojnë, interesi për makinat elektrike po rritet, veçanërisht në vendet e industrializuara. Prodhuesit thonë se po përmirësojnë kilometrazhin duke ndërtuar më shumë stacione furnizimi, por industria është ende duke pritur për një përparim të madh në teknologjinë e baterisë.

Shitjet e makinave elektrike premtojnë më shumë se kudo në Kinë, ku autoritetet e shohin teknologjinë si zgjidhjen më të mirë për problemin e ndotjes në qytetet kineze.

Qeveria ka në plan një sërë nismash përfshi një kërkesë, që duke filluar nga viti i ardhshëm, të gjithë prodhuesit e makinave në Kinë të kenë të paktën tetë përqind të inventarit të tyre me makina elektrike. Prodhuesit e makinave po tregojnë angazhim.

Në Panairin e Makinave në Shangai, prirja ishte e dukshme.

“Makinat elektrike do të luajnë një rol të rëndësishëm në Kinë dhe kjo është arsyeja që jemi shumë krenarë dhe të entuziazmuar për të paraqitur këtu një model makine elektrike të quajtur ID BUZZ që është shumë e rëndësishme për Kinën,” thotë Herbert Diess, drejtor ekzekutiv i kompanisë Volkswagen.

Por konsumatorët në Kinë, ashtu si edhe në Shtetet e Bashkuara, nuk po nxitojnë të blejnë makina elektrike dhe kanë një arsye të fortë.

“Kam një listë me numra telefonash të miqve të mi që jetojnë në Adirondaks, në mënyrë që në cdo moment të mund t’i marr në telefon dhe t’i pyes – jam pranë shtëpisë tënde, a ke ndonjë prizë elektike jashtë banesës?”, thotë Sunita Halasz, pronare e një makine elektrike.

Ky është një shqetësim i vazhdueshëm i përdoruesve të makinave elektrike - frika se do të mbeten pa bateri dhe të bllokuar pa asnjë pikë furnizimi pranë.

Krahasuar me pak minuta kohë që merr furnizimi i makinës me karburant, bateritë marrin ende shumë kohë për t’u karikuar. Por stacionet e furnizimit me energji po shtohen në Kinë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.

Tesla thotë se do të dyfishojë numrin e stacioneve të furnizimit me energji elektrike këtë vit, në 10 mijë. Prodhues të tjerë po bëjnë të njëjtë gjë.

Megjithatë, pika e kthesës do të vijë kur bateritë të jenë në gjendje të mbajnë më shumë energji.

“Teknologjia e baterisë është çelësi për zhvillimin e makinave elektrike. Nëse nuk do të ketë diversitet në këtë industri dhe investime të mjaftueshme në talente dhe teknologji, nuk do të jetë e mundur të prodhosh produkte të shkëlqyera” thotë Xi Liuping, drejtues i kompanisë Changan Auto.

Deri atëherë, ekspertët thonë se zgjidhja më e mirë janë ende makinat hibride me karburant dhe elektricitet, që mbështeten pak në bateri dhe më shumë në karburant.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG