Lidhje

Ligjvënësit e interesuar të dëgjojnë dëshminë e Jared Kushnerit


Pas kthimit nga udhëtimi i parë jashtë vendit si president, Donald Trump po ballafaqohet me hetime më të zgjeruara mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Gjatë mungesës së tij, dolën njoftime të reja, ndër të cilat më i bujshmi, ai i përfshirjes në hetime edhe i dhëndrit të tij Jared Kushner, njëkohësisht një prej këshilltarëve kryesorë të presidentit.

Ndërsa presidenti Trump e shpalli udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme dhe Europë një sukses...

“Mendoj se të gjitha fazat e udhëtimit ishin të suksesshme…”

Vendja e shtypit në Amerikë ishte përqëndruar tek një prej anëtarëve të rrethit të ngushtë të tij.

"Jared është një njeri shumë i suksesshëm në fushën e pasurive të patundshme në New York. Jam shumë krenar për të", tha presidenti, Donald Trump.

Fillimisht disa organe të shtypit njoftuan se Jared Kushner ishte tashmë një person ku ishte përqëndruar interesi FBI-së në hetimet mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar. Më pas u publikuan shumë raporte ku pretendohej se përpara se presidenti Trump të merrte zyrtarisht pushtetin, zoti Kushner ishte përpjekur të krijonte një kanal të fshehtë komunikimi me Moskën, nëpërmjet ambasadorit rus në Uashington.

"Përbën kontekstin e një fushate zgjedhore në të cilën rusët ndërhynë për të ndihmuar Donald Trumpin dhe dëmtuar Hillary Clintonin. Sigurisht, nëse këto njoftime janë të sakta, menjëherë pas asaj fushate, pas kësaj ndërhyrjeje, të kesh dhëndrin e presidentit, një njeri kyç të zotit Trump që përpiqet të krijojë një kanal sekret komunikimi me rusët duke përdorur mjediset diplomatike ruse, duhet të pyesni: Kujt po ja fshehin ata bisedat?, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Edhe një ish shef zbulimi nuk mund ta fshehë habinë e tij.

"Çfarë injorance, kaosi, hidhërimi, arrogance, përbuzje duhet të kesh për të menduar se po të bësh një gjë të tillë me ambasadorin rus do të ishte një ide e mirë apo e përshtatshme?!", thotë Michael Hayden ish drejtor i CIA-s.

Të jesh “një person me interes” për hetimet, ashtu siç është zoti Kushner për FBI-në, nuk do të thotë që ke kryer ndonjë veprim të paligjshëm. Disa media njoftuan se zoti Kushner u përpoq të krijojë një kanal të fshehtë komunikimi me Rusinë për të diskutuar lidhur me çështjen e Sirisë si dhe tema të tjera të mprehta. Sipas zyrtarëve të lartë të administratës, kjo është një praktikë normale.

"Është normale, sipas mendimit tim dhe e pranueshme ... Çdo kanal komunikimi me një vend, veçanërisht me një vend si Rusia, është gjë e mirë", thotë John Kelly sekretar për sigurinë kombëtare.

Megjithëse anëtarët e komisioneve të kongresit janë të etur të dëgjojnë dëshmitë e ish drejtorit të FBI-së James Comey, tashmë vëmendja është përqëndruar tek një tjetër dëshmitar i profilit të lartë.

"Mendoj se në fund të fundit, do të duam që zoti Kushner të vijë përpara komisionit tonë. Pres që kjo të ndodhë. Jam i sigurt se edhe zoti Mueller do të donte të kuptonte më shumë rreth këtyre akuzave", thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Ish drejtori i FBI-së Robert Mueller u emërua si prokuror i posaçëm për hetimet lidhur me Rusisë. Detyra e tij është të zbulojë veprime të paligjshme lidhur me ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG