Lidhje

Ilaç i ri kundër kolesterolit


Një ilaç që vepron si një vaksinë ka treguar të ulë kolesterolin e keq ose LDL dhe të zvogëlojë sasinë e pllakëzave yndyrore që shkaktojnë sulme në zemër. Ilaçi i quajtur AT04A, është një formë imunoterapie që synon një enzimë, të quajtur PCSK9, e cila kontribuon në formimin e pllakëzave të dëmshme në arteriet koronare.

Në studimet e minjve të ushqyer me yndyrë, dieta të stilit perëndimor, duke i vënë ata në rrezik për sëmundje të zemrës, mjekët panë se ilaçi uli sasinë e përgjithëshme të kolesterolit me 53 për qind dhe zvogëloi pllakëzat aterosklerotike me 64 për qind, thotë Oliver Siegel i firmës austriake farmaceutike AFFiRiS.

"Më e rëndësishmja është se në minj, ne kemi parë një pakësim shumë të rëndësishëm të këtyre pllakëzave. Si rezultat, ne besojmë se reduktimi i LDL do të sjellë një përfitim klinik, dmth pakësimin e pllakëzave yndyrore, dhe inflamacioneve që përbëjnë shkakun e goditjeve në zemër".

AT04A ishte në gjendje të ndikojë sistemin imunitar për të prodhuar antitrupa që bllokojnë enzimin PCSK9 në qarkullimin e gjakut tek minjtë në studim. Studimi u botua në revistën European Heart.

Qasja imunoterapeutike, sipas zotit Siegel, është e ngjashme me një vaksinë në kuptimin që nuk ka për qëllim bakteret dhe viruset, por vetëm enzimën e dëmshme.

Duke komentuar mbi studimin, Ulrich Laufs nga Universiteti Saarland në Gjermani dhe Brian Ference nga Universiteti i Bristol, vunë në dukje se njerëzit që marrin ilaçe për uljen e kolesterolit, duke përfshirë AT04A, mund të kenë një rrezik në rritje për zhvillimin e diabetit.

Por zoti Siegel thotë se studimet e deri tanishme nuk kanë arritur në ndonjë përfundim të tillë.

Aktualisht, shumë njerëz me nivele të larta kolesteroli marrin ilaçe të përditshme që ulin kolesterolin LDL. Por, Siegel thotë se përputhshmëria është më pak se ideale.

"Ajo që disa studime kanë treguar është se pacientët, të cilët kanë patur një goditje në zemër, me ilaçin e ri këta pacientë do të kishin relativisht më pak gjasa për t’u prekur dhe pacientët të cilët nuk kanë patur një goditje në zemër do të kishin akoma më pak gjasa për t’u prekur prej goditjes", thotë zoti Siegel.

Pllakëzat e yndyrës që zhvillohen në enët e zemrës mund të pengojnë rrjedhën e gjakut, duke shkaktuar goditje në zemër. Nëse një pllakës udhëton në tru, ajo mund të shkaktojë goditje. Sëmundjet e arterieve koronare janë shkaku kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve në mbarë botën.

Zoti Siegel thotë se ilaçi i ri mund të injektohet në lëkurë një herë në vit si imunizim. Pas përfundimit të studimeve edhe në njerëz, ilaçi për uljen e kolesterolit dhe pengimin e pllakëzave yndyrore mund të dalë në tregun farmaceutik brenda pak viteve të ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG