Lidhje

Shqipëri: Peticion kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare


Shqipëri: Peticion kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare
Shqipëri: Peticion kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare

Dy ish presidentët e vendit Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani kryesojnë listën e 52 figurave të njohura, shkrimtarë, artistë, historian, njerëz të shkencës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë regjistrimin e popullisë mbi baza etnike e fetare.

Në një peticion drejtuar presidentit Bamir Topi, kryetarës së parlamentit Jozefina Topalli, dhe kryeministrit Sali Berisha, ata shprehen se një regjistrim i tillë “prek te drejtat themelore te njeriut, interesat kombetare dhe bie ndesh me kushtetuten. Shprehja e perkatesive etnike dhe fetare, mbeshtetur edhe në Kartën e Kopenhagenit, janë çështje të individit”, saktësojnë ata.

Sipas tyre, kushtetuta shqiptare u njeh të drejtën pakicave të shprehin lirisht përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore. Kjo, shpjegojnë ata “nuk është një detyrim” për këto pakica. “Aq më pak mund të jetë detyrim për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”.

Sipas nëshkruesve të peticionit “në momentet e tanishme kërkesa për vetëdeklarim të kombësisë, është veçanërisht e rrezikshme”. Ata theksojnë se elemente të tillë regjistrimi nuk ekzistojnë në asnjë nga 27 vendet anëtare të komunitetit evropian dhe se nuk shohin asnjë dobi nga regjistrimi etnik dhe fetar.

Në tekstin e peticionit ata nënvizojnë se Shqipëria është një vend “pa konflikte etnike fetare. Pakicat minoritare gëzojneë të drejta të plota të parashikuara nga standartet më të larta europiane.

Shqipëria – shtojnë ata – nuk është një shtet i lindur sërishmi, raportet e saj me minoritet janë aq te vjetra sa edhe vetë historia e shtetit shqiptar qe i ka njohur minoritet e saj qysh prej vitit 1921 para Lidhjes së Kombeve” dhe dallohet “per harmonine e shkelqyer ndermjet besimeve fetare”.

Duke kujtuar se “Shqipëria është shtet laik”, në peticion theksohet se “rregjistrimi mbi baza etnike e fetare do të nxiste një gare negative ndërmjet këtyreve kategorive. Kurse vetëdeklarimi i popullsisë, në kushtet e sotme, është haptas kundër identitetit tonë. Ligjit për gjendjen civile i bërë në këtë frymë, duhet shfuqizuar sa më parë”.

Peticioni mbyllet me thirrjen që “të gjithë intelektualët, shoqatat, fondacionet pa dallim, shqiptarët jashtë atdheut, të bashkohen me anë të deklarimeve në mas media në perkrahje të këtij peticioni”.

Debati mbi regjistrimin mbi baza të kombësisë dhe përkatësisë fetare u nxit disa javë më parë pas thirrjeve të konsullit grek në Korçë drejtuar banorëve që të mos kishin frikë të deklaronin origjinën e tyre greke. Një reagim i fortë erdhi nga Nënkryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, i cili nisi edhe një tur në gjykata për të denoncuar ndryshimet e kombësisë.

Ndërsa kryetari i gjykatës së Sarandës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë një nen të ligjit për gjendjen civile të miratuar në 2009, ku përcaktohet edhe deklarimi i kombësisë. Sipas tij Kombësia nuk është një nocion juridik që mund të përfshihet në të dhënat e gjendjes civile të personave.

Ndërkohë, dy ditë më parë qeveria shqiptare njoftoi se dol të shtyjë për në vjeshte fillimin e procesit të regjistrimit të popullsisë të parashikuar për në prill, me arsyetimin se përkonë me periudhën e zgjedhjeve autoriteteteve vendore të cilat duhet të jenë të përfshira në procesin e regjistrimit.

XS
SM
MD
LG