Lidhje

Presidenti Obama takohet me homologen braziliane


Presidenti Obama takohet me homologen braziliane
Presidenti Obama takohet me homologen braziliane

Presidenti amerikan Barak Obama është takuar në Brazilia me homologen braziliane, Dilma Rusef, për të diskutuar një sërë çështjesh rajonale dhe botërore, përfshirë Libinë.

Zoti Obama arriti sot në kryeqytetin brazilian, ndalesa e tij e parë në një turne në tre vende të Amerikës Latine. Pas Brazilit, presidenti do të shkojë edhe në Kili dhe Salvador. Ai tha se një nga synimet e turneut të tij është forcimi i marrëdhënieve ekonomike me vendet fqinje, të cilët, tha ai, po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në ekonominë amerikane.

Vizita e zotit Obama po zhvillohet ndërkohë që po ndërmerren veprime ndërkombëtare kundër sulmeve të udhëheqësit libian Muamer Gadafi ndaj kryengritësve antiqeveritarë.

Presidenti amerikan tha se njohu zonjën Rusef me përpjekjet e vendeve aleate, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë arabe, për të vendosur një ndalim-fluturimi mbi Libi. Brazili abstenoi gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së javën e kaluar për autorizimin e veprimeve ushtarake kundër forcave të Gadafit. Franca tha se avionët e saj luftarakë kanë filluar të patrullojnë qiellin e Libisë.

Sekretarja Klinton tha se Presidenti Obama ndodhet në turneun e tij në Amerikën Latine në kuadrin e 50 vjetorit të një aleance me këto vende e cila u fillua nga Presidenti Xhon Kenedi, me vizitën e tij në atë rajon.

Gjatë pesë ditëve të qëndrimi në tri vendet e Amerikës Latine, ndihmësit e presidentit thonë se ai synon të krijojë mundësi për hapjen e vendeve të punës dhe të zgjidhë çështje të sigurisë rajonale. Udhëtimi shihet edhe si përpjekje për të përforcuar marrëdhëniet, dy vjet pasi zoti Obama shpalli fillimin e “një kapitulli të ri bashkëpunimi” me rajonin.

Që nga ajo kohë, Kina e ka zgjeruar praninë ekonominë në Amerikën Latine, duke u bërë partnerja kryesore tregtare e Brazilit. Analistët e shohin turneun në Amerikën Latine, si një përpjekje të Shtëpisë së Bardhë për të rikthyer ndikimin amerikan në hemisferën perëndimore.

Zoti Obama u prit sot nga presidentja e sapozgjedhur e Brazilit, Dilma Rusef, ndërsa do të takohet ditëve në vijim me Presidentin kilian Sebastian Pinjera dhe kreun e Salvadorit, Maurisio Funes.

Secili nga këto tre vende të Amerikës Latine i ofron zotit Obama aspekte të veçanta të hemisferës. Megjithatë, presidenti amerikan po viziton tri shtete, udhëheqësit e të cilëve kanë shfaqur një qasje pragmatike në qeverisje dhe ku ndjenja e anti-amerikanizmit po venitet. Si të tilla, tri vendet dallojnë nga Venezuela dhe Bolivia, të udhehequra nga qeveri të majta dhe të njohura për fjalorin e ashpër kundër Shteteve të Bashkuara.

Pritet që gjatë turneut, zoti Obama të shpalosë edhe doktrinën e tij për rajonin, siç veproi për Lindjen e Mesme gjatë vizitës së tij në Kajro në vitin 2009. Ai do të flasë në Stantiago të Kilit të hënën për synimet e bashkëpunimit mes vendeve si partnerë të barabartë dhe do të theksojë rolin e tyre për fqinjësi më të mirë.

Presidentin po e shoqëron gjatë vizitës në Brazil familja e tij.

XS
SM
MD
LG