Lidhje

Kryengritësit libianë rimarrin disa qytete bregdetare


Kryengritësit libianë rimarrin disa qytete bregdetare
Kryengritësit libianë rimarrin disa qytete bregdetare

Forcat e kryengritësve libianë kanë bërë një seri avancimesh të shpejta, duke marë portin strategjik të naftës Ras Lanouf dhe Brega, të cilët i humbën rreth 10 ditë më parë. Dëshmitarët thonë se forcat pro-qeveritare u tërhoqën pa luftuar. Disa ushtarë që mbetën prapa u dorëzuan.

Kanali televiziv, Al-Arabia transmetoi pamje të tankeve dhe mjeteve të tjera qeveritare që po digjeshin përgjatë autostradës bregdetare për në Ras Lanouf. Al-Arabia paraqiti gjithashtu pamje të avionëve britanikë që bombardonin disa objektiva pro-Gadafit.

Luftëtarët kryengritës i thanë kanalit televiziv al-Xhazira se ofensiva tjetër do të jetë për qytetin port Sirte, qyteti simbolik i udhëheqësit libian, Moamer Gadafi. Një ish kolonel i ushtrisë, i cili dezertoi dhe u bashkua me kryengritësit, informoi se besnikët e Gadafit kishin vënë mina toke në periferi të Sirtes.

Pranë kryeqytetit Tripoli, dëshmitarët në qytetin Misrata i thanë al-Xhazirës se snajperët pro Gadafit vazhduan goditjet kundër tyre me artileri dhe me zjarrin e snajperëve. Uji dhe energjia elektrike ende mungojnë dhe kushtet e jetesës janë tejet të rënda. Një grup punëtorësh egjiptianë në qytet iu lut qeverisë t’i ndihmojnë të evakuohen sëbashku me familjet e tyre.

Televizioni qeveritar libian transmetoi imazhe të përkrahësve të Gadafit që thërrisnin dhe kërcenin me fotografitë e udhëheqësit të tyre në duar. Disa përkrahës i bënë elozhe zotit Gadafi dhe u zotuan t’i qëndrojnë atij besnikë, megjithë disfatat e kohëve të fundit.

Një zëdhënës i lartë i qeverisë, zv/ministri i Jashtëm Khaled Kaim, u ankua para gazetarëve në Tripoli se koalicioni perëndimor po “përpiqet ta shtyjë vendin në prag të luftës civile”.

Por sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha në programin Face the Nation të kanalit televiziv CBS se sulmet e kolonel Gadafit kundër popullit të tij kanë qënë shumë më të ashpëra nga veprimet e koalicionit ndaj forcave të tij:

"Ajo që ka ndodhur atje gjatë disa javëve të fundit është shumë shqetësuese, por ka një ndryshim të madh mes sulmeve me objektiva të caktuara dhe atyre pa dallim kundër qyteteve të vendit tënd, të cilat kanë tejkaluar përdorimin e çdo lloj force që mund të mendohet”.

Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts tha gjithashtu në programin Face the Nation të kanalit televiziv CBS se rezultati i konfliktit në Libi është i pasigurt, por ka një mundësi të madhe që përkrahësit e Gadafit të dezertojnë me shtimin e presionit ushtarak ndaj tij.

"Ka një numër mundësish, veçanërisht për sa kohë që presioni ndërkombëtar vazhdon dhe ata që janë përreth tij nuk shikojnë të ardhme, duke qendruar me të. Nuk duhen nënvleftësuar elementët në radhët e vetë rregjimit që të thyhen dhe të marrin kthesë”.

Zoti Gejts mbrojti faktin se koalicioni nuk ka përcaktuar qartë qëllimet e misionit të tij në Libi, duke këmbëngulur se “në një fushatë ushtarake nuk përcakton si mision apo qëllim diçka, kur nuk je i sigurt se është e realizueshme”.

XS
SM
MD
LG