Lidhje

Thirrje për trajtimin e çështjeve të urisë dhe varfërisë në takimin e G-8s


Presidenti i Shteteve të Bashkura, Barak Obama, është mikpritësi e dy takimeve të nivelit të lartë njeri pas tjetrit, ku Afganistani, Irani dhe ekonomitë botërore pritet të jenë temat kryesore që do të diskutohen.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Tom Donilon, informoi gazetarët për takimin e G-8s që do të zhvillohet jashtë Uashingtonit sot dhe nesër, dhe për takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Çikago që do të mbahet të djelën dhe të hënën.

Zoti Danilon tha se udhëheqësit botërorë pritet të diskutojnë për tregjet botëore të naftës, kur të mblidhen në takimin e nivelit të lartë të G-8 në vendpushimin presidencial Kemp Dejvid. Ai tha se udhëheqësit ka të ngjarë të zhvillojnë diskutime për një radhë alternativash për tregjet e naftës, në dritën e sanksioneve kundër Iranit. Ata do të diskutojnë gjithashtu edhe për një sërë çështjesh të tjera nga politika, siguria, ekonomia, e deri tek mjedisi.

Ndërkaq, organizatat humanitare thonë se ato duan që udhëheqësit e 8 vendeve më të industralizuara ta bëjnë sigurinë e ushqimit përparësi kryesore në takimin e tyre të radhës që do të zhvillohet në Camp David të shtetit Merilend më 18 dhe 19 maj të këtij viti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua njofton.

Në vitin 2009, në takimin e zhvilluar në L’Aquila të Italisë, udhëheqësit e G8-tës premtuan 22 miliardë dollarë për një periudhë tre vjeçare për të ndihmuar përmirësimin e sektorit të bujqësisë dhe për forcuar sigurinë e ushqimit. Ata iu përgjigjen krizës së ushqimit e cila filloi më 2008 nga çmimet e larta dhe mungesat në furnizimin të cilat shkaktuan protesta të dhunshme në një numër vendesh.

Takimi i zhvilluar në L’Aquila gjithashtu rezultoi në programin e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, Nisma për Sigurimin e Ushqimit, e cila u mbështet nga 26 vende dhe 14 organizata.

Megjithatë, disa nga organizatat më të mëdha humanitare thonë se pavarësisht nga premtimet dhe përpjekjet që kanë pasuar, duhet bërë më shumë për t’i dhënë fund urisë. Neil Watkins i orgonaizatës ActionAid thotë se angazhimet që dolën nga takimi i L’Aquillas së shpejti do të skadojnë.

“G8-ta tani ndeshet me një zgjedhje, të vazdhojë dhe të zgjerojë angazhimin e saj për luftimin e urisë në mbarë botën ose të lejojë skadimin e angazhimeve të saj për luftimin e urisë. Për mbështetësit e luftës kundër varfërisë, G8-ta dhe presidenti Obama përballen me një pyetje thelbësore. Pra, a do të shtojë angazhimin G8-ta dhe presidenti Obama për një marrëveshje të re për luftimin e urisë dhe kequshqyerjes apo do të lejojnë që ky takim të jetë një nga takimet e radhës që prodhon vetëm fjalë të ngrohta e jo veprime konkrete?”

Zoti Watkins thotë se udhëheqësit e G8-ës pritet të miratojnë një nismë të re për sigurinë

“Fokusi i G8-tës në çështjen e sigurimit të ushqimit dhe luftën kundër urisë është thelbësor. Në vitin e kaluar, ne kemi parë numër të lartë të njerëzve që vuajnë nga uria në Bririn e Afrikës, vazhdim të rritjes së çmimeve të ushqimit në mbarë globin, dhe kohët e fundit në rajonin Sahel të Afrikës Përndimore 13,4 milion njerëz po përballen me urinë. Është kriza e dytë në këtë rajon në dy vite dhe mbi një milion fëmijë në rajon janë të rrëzikuar nga kequshqyerja”.

Gawain Kripke i organizatës Oxfam America përgëzoi presidentin Obama për përpjekjet e tij për sigurinë e ushqimit që nga viti 2009.

“Presidenti Obama ka dhënë kontribut të madh në fushën e bujqësisë dhe sigurisë së ushqimit përmes axhendës së tij për ndihmë vendeve të huaja. Ai me sukses i ka bindur udhëheqësit tjerë të G8-tës dhe shumë të tjerë që t’i bashkohen nismës që u prezantua tre vite më parë. Ne presim që Obama të bëjë të njejtën gjë në takimin që do të zhvillohet në Camp David. Ne i kemi bërë thirrje presidenti të vazhdojë angazhimin e tij dhe të dali me synime më të mira dhe më ambicioze. Pra, më shumë fonde”.

Zoti Kripke thotë se rreth një miliardë njerëz në mbarë botën nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.

"Me rritjen e popullsisë, konkurrencës për ushqim dhe ndryshimet klimatike, kjo prirje do të përkeqësohet”.

Tom Hart i organizatës humanitare One, është kritik ndaj asaj që është bërë që nga Takimi i L’Aquilla-s. Ai nuk është i kënaqur me rezultatet e takimit.

“Donatorët deri tani kanë shpërndarë dhe kanë dhënë rreth 22 për qind të 22 miliardë dollarëve që kanë premtuar. Ne presim që kjo shifër të rritet gjatë muajve të ardhëm ndërkohë që premtimet do të fillojnë të zbatohen në terren. Por der më tani, kjo ka qënë sfidë e madhe”.

Takimi i G8-ës më 2009 gjithashtu ka çuar në krijimin e një fondi të quajtur Programi Global për Bujqësinë dhe Sigurinë e Ushqimit. Zoti Hart thotë se vetëm 7 nga 40 nënshkruesit e kësaj nimse kanë premtuar financimin e këtij programi.

Michael Klosson i organizatës Save the Children dëshiron që udhëheqësit e G8-tës të marrin angazhime të mëdha për t’i dhënë fund kequshqyerjes që është duke ndikuar shëndetin e miliona fëmijëve.

“Këta fëmijë janë në rrëzik. Mund të duket sikur ata po humbasin disa centimetra, por në fakt kequshqyerja dëmton aftësitë fizike dhe mendore dhe ka ndikim negativ në ekonomitë e vendeve ku jetojnë këta fëmijë. Udhëheqësit e G8-tës nuk mund të pretendojnë se mund të ketë përparimi të vërtetë nëse ekonomitë e këtyre vendeve shënojnë rritje ndërkohë që fëmijët e këtyre vendeve vuajnë nga uria”.

Takimi i vendeve të G8-tës do të zhvillohet në Camp David më 18 dhe 19 maj të këtij viti. Presidenti Obama ka ftuar edhe udhëheqësit e Etiopisë, Ganës, Beninit dhe Tanzanisë që të marrin pjesë në diskutimet mbi sigurinë e ushqimit.

XS
SM
MD
LG