Lidhje

Përvjetori i fillimit te bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe


Në ditën e sotme të vitit 1999, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, e cila i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
15 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:21 0:00

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet. Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Shënimi i 24 marsit në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit dhe një nga ditët më domethënëse dhe më kuptimplotë për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit. Autoritetet serbe, akuzojnë NATO-n se ka ndërhyrë në vitin 1999 për të krijuar, siç thuhet, shtetin e saj në Ballkan.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Kosova shënoi gjashtë vjet të pavarësisë së saj nga Serbia me të cilën aktualisht ndodhet në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përfshirjen e të dyja vendeve në integrimet evropiane.
XS
SM
MD
LG