Lidhje

Ukraina përgënjeshtron njoftimet se në territorin e saj ka burgje të fshehtë të CIA-s


Ukraina mohoi njoftimet se në territorin e saj ka burgje të fshehtë të administruar nga CIA. Një zëdhënës i ministrisë së jashtëme e quajti absurd njoftimin e një gazete zvicerane sipas të cilit Ukraina ka lejuar qendra të fshehta amerikane për marrje në pyetje të njerëzve.

Gazeta Sontags-Blick thoshte se zyrtarët zviceranë të sigurimit kishin interceptuar një dokument të fshehtë egjiptian ku përmendeshin burgje sekrete të CIA-s në disa vende evropianolindore. Këtu përfshiheshin Ukraina, Rumania, Maqedonia, Bullgaria dhe Kosova.

Këshilli i Evropës kërkon hyrjen e inspektorëve të tij në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës tha se inspektorët e Këshillit duhet të lejohen të hyjnë menjëherë dhe pa kufizime në objektet e paraburgimit në Kosovë të administruara nga paqeruajtësit ndërkombëtarë të NATO-s.

Në një deklaratë të bërë sot, zoti Terry Davis tha se komisioni i Këshillit të Evropës për parandalimin e torturës ka të drejtën për të hyrë lirisht në objektet që ndodhen në cilindo prej vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë Kosovën. Ai tha se periudha në prag të fillimit të bisedimeve të drejtuara nga OKB-ja lidhur me të ardhmen e Kosovës, ofron një shans të fundit që autoritetet e NATO-s të tregojnë se si trajtohen njerëzit që mbahen brenda këtyre objekteve.

Këshilli i Evropës është një organizatë ku deputetë të vendeve demokratike evropiane diskutojnë mbi çështje të tilla, siç janë të drejtat e njeriut.//lk

XS
SM
MD
LG