Lidhje

Irak: ngushtohet gara për postin e kryeministrit


Gara për postin e kryeministrit të ri irakian është ngushtuar, pasi dy parti kryesore shiite në Irak i tërhoqën të martën kandidatët e tyre.

Ministri i përkohshëm i financave, Adel Abdul-Mahdi, që ishte kandidat i Këshillit Suprem për Revolucionin Islamik në Irak, u tërhoq nga gara. Ai tha se e bëri këtë veprim për të ruajtur unitetin në radhët e Aleancës së Bashkuar të Irakut. Ky koalicion fitoi 48 për qind të votave në zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare të 30 janarit.

Tërheqja nga gara e dy kandidatëve kryesorë shiitë lë kështu si kandidatin kryesor të mundshëm për kryeministër, kreun e Partisë Islamike Dawa, Ibrahim al-Jaafari. Zoti al-Jaafari i tha të martën agjencisë Associated Press se nëse do të bëhet kryeministër i Irakut, nuk do të kërkojë tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane nga Iraku.

Në një zhvillim tjetër, manjati turk i transportit, Kahraman Sadikoglu, që u rrëmbye në Irakun jugor në dhjetor, u lirua dhe u kthye në shtëpi. Ai u tha gazetarëve se rrëmbyesit e tij ishin besnikë të Sadamit, të cilët e liruan, pasi mësuan se nuk bënte biznes me Shtetet e Bashkuara apo me Britaninë.

XS
SM
MD
LG