Lidhje

Sen. Hagel: Vizita e Presidentit Bush në Evropë është vazhdim i përpjekjeve për forcimin e aleancave

  • Jela Jevremovic

Një anëtar i komisionit të senatit amerikan për marrëdhëniet me jashtë thotë se gjatë vizitës së tij në Evropë, Presidenti Bush do të diskutojë mbi sfidat në marrëdhëniet ndëratlantike, për çështje të tilla si Irani, Kina, terrorizmi dhe e ardhmja e NATO-s. Senatori Chuck Hagel i shtetit Nebraska u intervistua nga kolegia Jela Jevremoviç.

Senatori Hagel thotë se vizita e Presidentit Bush në Evropë është vazhdim i përpjekjeve të tij për të shtrirë dorën dhe forcuar aleancat si dhe për të folur mbi sfidat e mëdha të kohës sonë.

“Irani përfaqëson një sfidë serioze ndaj Lindjes së Mesme, ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ndaj aleatëve tanë. Mendoj se të gjithë aleatët tanë do të punojnë me Shtetet e Bashkuara për të dalë me një politikë praktike e cila në fund të fundit do të jetë me dobi për të gjithë ne. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë shtruar alternativën ushtarake dhe nuk mendoj se do ta shtrojnë atë. Por ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë lidhur me Iranin. Kjo është një situatë e ndërlikuar. Kina është një çështje e ndryshme. Ajo është një vend i madh që po shndërrohet në superfuqi, në një superfuqi ekonomike dhe ndoshta edhe në një fuqi ushtarake. Mendoj se rruga e mençur e veprimit do të ishte të punonim me kinezët dhe të përpiqeshim të ndikonim tek ta sa të mundemi. Duhet kuptuar se ata do të kenë një sferë ndikimi, siç e kanë aktualisht, e cila do të jetë e konsiderueshme. Por kjo jo domosdo duhet ta verë Amerikën dhe Kinën kundër njëra-tjetrës, ato jo domosdo duhet të jenë rivale ose armike”.

Në një takim të kohëve të fundit në Mynih, ministri gjerman i mbrojtjes, Peter Shtruk propozoi një reformim të Natos. I pyetur nëse mendon se evropianët do të përpiqen një ditë të kenë status të ndryshëm në Nato, senatori Hagel tha:

“Sot Natoja është ndryshe nga 10 vjet më parë dhe natyrisht ka ndryshuar që nga krijimi i saj në vitin 1949, qoftë edhe për faktin e vetëm se në Nato marrin pjesë 26 vende. Aleanca do të kalojë nëpër transformime dhe përshtatje, pjesërisht për t’ju përgjigjur sfidave të shekullit 21, pjesërisht për t’ju përgjigjur sfidave që kanë të 26 anëtarët. Ashtu si çdo institucion, edhe ajo do të duhet të transformohet por nuk mendoj se në botën e sotme nuk ka nevojë për Naton, se ajo nuk mund të luajë rol si institucioni qendror që e mban më këmbë aleancën ndëratlantike. Përkundrazi. Dhe mendoj se shumica e aleatëve të Natos besojnë se ajo e luan këtë rol. Jo vetëm vendet e reja evropiane që hynë në Nato vitet e fundit, por edhe disa nga vendet e para anëtare të Natos e kanë një besim të tillë”. Senatori Hagel thotë se Natoja mbetet një institucion qendror që përfaqëson interesat ndëratlantike të aleatëve të Amerikës në Europë si dhe në Kanada.

XS
SM
MD
LG