Lidhje

SHBA thërasin në atdhe ambasadoren amerikane në Siri


Shtetet e Bashkuara thirrën në atdhe ambasadoren e tyre në Siri pas vrasjes së ish kryeministrit libanez, Rafik Hariri, i cili u vra në Bejrut më 14 shkurt nga shpërthimi i një makine bombë.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Riçard Bauçër tha se ambasadorja amerikane Margaret Skobi u thirr të kthehej në Washington për këshillime urgjente pas vrasjes brutale të zotit Hariri. “Pas vrasjes së ish-kryeministrit Hariri, ambasadorja Skobi i paraqiti një mesazh qeverisë siriane, në të cilin shprehej shqetësimi ynë i thellë si dhe zemërimi ynë i madh lidhur me këtë akt të neveritshëm terrorizmi.”

Sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs tha se Shtetet e Bashkuara nuk po fajësojnë Sirinë për vrasjen e zotit Hariri. Vrasja e tij, tha zonja Rajs, duhet të hetohet plotësisht. Por, tha sekretarja Rajs, “në Liban ka forca siriane; dhe Siria vepron brenda Libanit.” “Ky është destabilizimi që ndodh kur ekzistojnë kushtet si ato të tanishmet në Liban, falë ndërhyrjes së Sirisë. Pra ne jemi të bashkuar me pjesën tjetër të botës për të kërkuar një hetim të plotë rreth asaj që ndodhi. Por nuk ka asnjë dyshim se kushtet e krijuara nga prania e Sirisë në atë zonë kanë krijuar një gjendje të paqëndrueshme në Liban.”

Zëdhënësi i departamentit të shtetit Bauçer tha se sekretarja e shtetit Rajs tha se Shtetet e Bashkuara kanë një listë mosmarrëveshjesh në rritje me Sirinë dhe i kanë ngritur në mënyrë të përsëritur këto shqetësime me zyrtarë të lartë sirianë. “Mes tyre përfshihet prania siriane në Liban, vazhdimi i pranisë dhe veprimtarive të grupeve terroriste ndërkombëtare si dhe regjimi iranian në territorin sirian; Përdorimi i territorit sirian nga kryengritësit irakianë.

Deri më sot, këto shqetësime nuk janë trajtuar si duhet dhe ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Sirisë që të marë masa pozitive lidhur me të gjitha këto çështje.” Sekretarja e shtetit Rajs tha se ka ardhur koha që Siria “të gjejë një rrugë të re” në marrëdhëniet e veta me Shtetet e Bashkuara. Ajo shfaqi shpresë që qeveria siriane ta shikojë tërheqjen e ambasadores amerikane si një shenjë të fuqishme për Sirinë që të ndryshojë qëndrimin e saj.

XS
SM
MD
LG