Lidhje

Presidenti Bush shkon në Evropë me shpresën për të lënë mënjanë mosmarrëveshjet


Që nga koha ku u rizgjodh për një mandat të dytë në nëntor, mes objektivave kryesore të politikës së tij të jashtme, Presidenti George Bush ka caktuar rindërtimin e lidhjeve me aleatët e vjetër evropianë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton se me udhëtimin e tij të parë jashtë vendit gjatë mandatit të tij dytë, presidenti shpreson t’i lerë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të fillojë një kapitull të ri në marrëdhëniet transatlantike.

Ishte një gjest i qartë. Në fjalimin e tij në ditën e inaugurimit muajin e kaluar, presidenti Bush ju drejtua aleatëve evropianë.

“Ne nderojmë miqësinë tuaj, mbështetemi në këshillën tuaj dhe varemi tek ndihma tuaj”.

Filloi kështu procesi i rregullimit të lidhjeve me vendet evropiane, pas dy vjet marrëdhëniesh të acaruara lidhur me pushtimin e Irakut nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

Sekretarja e Shtetit Condoleeza Rice e çoi më tej këtë përpjekje në fillim të muajit, gjatë vizitës së saj në Francë, kur ajo përcaktoi vizionin e administratës për një partneritet të ri transatlantik.

“Amerika është e gatshme të punojë me Evropën lidhur me planin tonë të përbashkët dhe Evropa duhet të jetë e gatshme të punojë me Amerikën. Para së gjithash, sigurisht që historia do të na gjykojë ne jo nga mosmarrëveshjet e vjetra, por nga arritjet tona të reja”.

Pyetja që shtrojnë një numër i madh njerëzish nga të dyja anët e Oqeanit, është: ”Si do të zhvillohen më tej këto marrëdhënie?” Robin Niblett është Drejtori i Programit për Evropën në Qendrën Strategjike të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Washington.

“Evropianët do të dëshironin të kenë një partneritet të fortë me Shtetet e Bashkuara, por një partneritet mes të barabartëve dhe jo një mes udhëheqësve dhe pasuesve të tyre".

Nga ana e tij, administrata e Presidentit Bush do të dëshironte të shihte që ky partneritet të përfshinte një rol më të madh të evropianëve në Irak. John Hulsman, studjues për Evropën në Fondacionin Heritage në Washingotn thotë se evropianët, ashtu sikurse Shtetet e Bashkuara, nuk duan të shohin dështimin e Irakut.

“Mendoj se tani çështja është që t’u themi evropianëve, se askush nuk do që Iraku të dështojë. Në se jeni dakord me atë që amerikanët kanë bërë, apo që nuk kanë bërë, është realitet që ne jemi atje. Dështimi në Irak do ta dëmtonte Evropën, po aq sa edhe Shtetet e Bashkuara, pra le të bashkëpunojmë dhe ta bëjmë të funksionojë ky partneritet”.

Ndërsa askush nuk pret dërgimin e një numri të madh trupash, zoti Niblet thotë se evropianët mund të ofrojnë ndihmën e tyre.

“Vendet evropiane mund të ndihmojnë, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës, por edhe vetë në infrastrukturën e qeverisë, stërvitjen e gjykatësve, të policisë dhe ndoshta të ndihmojë edhe në shkrimin e Kushtetutës”.

Dy çështje të tjera të Lindjes së Mesme shquhen më tepër në planin transatlantik: përpjekjet për paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe ambiciet bërthamore të Iranit.

Një çështje tjetër që do të diskutohet janë edhe planet evropiane për heqjen e embargos së armëve ndaj Kinës.

Por me përfundimin e bisedimeve, në qendër të vëmendjes, nuk do të jetë numri i çështjeve individuale të zgjidhura, por cilësia e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Kryeministri britanik Tony Blair, e tha këtë hapur muajin e kaluar në Forumin e Ekonomisë Botërore:

“Në se Amerika kërkon që pjesa tjetër e botës të jetë pjesë e planit të përcaktuar prej saj, atëhere Amerika duhet të jetë edhe pjesë e planit të vendeve të tjera”.

Zoti Nibblet thotë se mendon që administrata e presidentit Bush do ta mbajë parasysh këtë këshillë, pasi e ka mësuar, sipas fjalëve të tij, ”koston e humbjes së aletëve”.

“Pra, mendoj se do të kemi rastin të shohim një përpjekje më të bashkërenduar për ta gjetur dhe për të shpjeguar pozicionin e Shteteve të Bashkuara. Ndoshta edhe për ta ndryshuar paksa për t’i sjellë me vete aleatët. Dhe ndoshta, ashtu sikurse theksoi Tony Blair, të marrin përsipër disa nga çështjet e mëdha që nuk kanë përparësi në listën e Shteteve të Bashkuara, por që janë në listën e përparësive ndërkombëtare”.

Pas disa vite trazirash në marrëdhëniet politike, udhëheqësit nga të dyja anët e Atlantikut shpresojnë që udhëtimi i Presidentit në Evropë do të krijojë kushtet për katër vjet bashkëpunimi më të ngushtë. Nuk do të jetë e lehtë, por siç i tha Zërit të Amerikës një analist i poltikave, ata që mendojnë se marrëdhënieve transatlantike u ka ardhur fundi, po tregohen të nxituar.

XS
SM
MD
LG