Lidhje

Shqipëri: Përpjekje për ta çuar përpara reformën zgjedhore


Ambasadori i Belgjikës në OSBE, Bertrand Crombruegghe, po viziton Tiranën në kuadër të përpjekjeve për ta çuar përpara reformën zgjedhore dhe për t’i treguar politikanëve shqiptarë se zgjedhjet e përgjithshme të verës janë tepër të rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe integrimin e vendit në institucionet perëndimore.

Belgjika po merr kryesinë e radhës së OSBE-së dhe amb. Crombruegghe po diskuton me përfaqësues të forcave kryesore politike mbi ecurinë e proceseve demokratike dhe përgatitjen e zgjedhjeve në vecanti.

Sipas një zëdhënëseje të OSBE-së në Tiranë, ambasadori belg ka organizuar një takim të përbashkët me të gjithë zyrtarët dhe përfaqësuesit partiakë, ku nuk përjashtohet mundësia që të shqyrtohen edhe tema të vecanta, si mospajtimet mbi zonat zgjedhore dhe përgatitja e listave të votuesve.

Vizita e diplomatit belg të OSBE, ndonëse nuk do të pasqyrohet në njoftime shtypi, pritet të ndikojë në uljen e nervozizmit mes forcave politike, të cilat kanë pezulluar negociatat për ndarjen e zonave të reja zgjedhore.


XS
SM
MD
LG