Lidhje

Xhon Negroponte, një biografi e shkurtër


Presidenti Bush emëroi këtë javë ambasadorin John Negroponte si drejtorin e parë të vendit për Shërbimet e Zbulimit. Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, zoti Negroponte do të mbikqyrë 15 agjenci zbulimi, do të ketë një buxhet pune prej 40 milion dollarësh si dhe kontakte të drejtpërdrejta me presidentin. Në vazhdim ju sjellim një vështrim mbi jetën private të një njeriu që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në poste publike:

Xhon Dimitri Negroponte, biri i një biznesmeni grek, ka patur vazhdimisht detyra të vështira. Mirësjellja dhe pamja e tij e qetë e këtij diplomati karriere fshehin një përvojë të gjerë me konflikte në zona të nxehta në mbarë globin. Ai u punësua nga Shërbimi Diplomatik amerikan në vitin 1960 dhe shërbeu në Azi, Evropë dhe Amerikë Latine para se të bëhej për herë të parë ambasador i Shteteve të Bashkuara në vitin 1981.

Gjatë shërbimit si ambasador në Honduras ai luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjet e përkrahura nga Shtetet e Bashkuara për të rrëzuar qeverinë sandiniste në Nikaraguan fqinje. 16 vjet më pas, pasi shërbeu si ambasador në Meksikë dhe Filipine, roli i tij në konfliktin në Nikaragua bëri që të vonohej miratimi i kandidaturës së tij si ambasador. Zoti Negroponte kundërshtoi zërat se kishte pasur dijeni për skuadrat e vdekjes dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut në Nikaragua në mesin e viteve ’80 nga kryengritësit Kontras, të cilët mbështeteshin nga Shtetet e Bashkuara.

Që nga muaji qershor 2004, zoti Negroponte ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak, një post që vetë John Negroponte e kishte menduar si kapitullin e fundit në karrierën e tij në qeveri, duke e krahasuar këtë detyrë me këngën e fundit të mjellmës.

Ambasadori Negroponte takoi për herë të parë të shoqen e tij, Diana, në një mbrëmje të organizuar nga ambasada amerikane në Vietnam. Në atë kohë ajo ishte adoleshente.

"Takova këtë oficer të ri impresionues në ambasadën amerikane, i cili m’u ul pranë në mbrëmje dhe filloi të më shpjegonte asamblenë kushtetuese të Vietnamit të Jugut. Unë isha 18 vjeçe dhe gati sa s’plasa nga mërzia," kujton zonja Negroponte.

Ata u martuan afro 10 vjet më pas dhe gjatë kohës që zoti Negroponte ishte ambasador në Honduras, çifti adoptoi 5 fëmijë, më i vogli i të cilëve është tani 11 vjeç ndërsa më i madhi është 22. Familja e tij nuk e shoqëroi dot gjatë shërbimit në Irak

"Pa dyshim fëmijët janë mërzitur që do të largohem dhe mua do të më marrë malli. Por do t’i kem me vete në zemër," u shpreh ambasadori para largimit për në Irak.

Nëse John Negroponte miratohet si Drejtori i Zbulimit Kombëtar, ai do të jetë përsëri pranë familjes. Por ai pohon se kjo detyrë është misioni më i vështirë i karrierës së tij:

"Detyra për t’i dhënë në kohë presidentit, Kongresit, departamenteve e agjencive si dhe forcave tona ushtarake informata objektive nga shërbimet e zbulimit është një mision kombëtar tepër i rëndësishëm," thotë zoti Negroponte.

Si Drejtor i Zbulimit Kombëtar, ambasadori Negroponte do të ketë një nga postet më të fuqishme të qeverisë federale. Ai do të mbikqyrë 15 agjenci, si dhe drejtuesit e tyre, si për shembull drejtorin e CIA-s Porter Goss dhe Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld, të cilët mund të mos jenë shumë të entuziazmuar nga ideja që do të heqin dorë nga një pjesë e autoritetit. Nëse kandidatura e tij miratohet, zoti Negroponte do të shfrytëzojë përvojën dhe aftësitë e tij diplomatike dhe drejtuese për ta bërë realitet këtë mision.

XS
SM
MD
LG